Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen viziton Kinën

schedule16:42 - 4 Prill, 2024

schedule 16:42 - 4 Prill, 2024

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, mbërriti këtë të enjte në Kinë për një vizitë, gjatë së cilës pritet të trajtojë subvencionet kineze në energjinë diellore, makinat elektrike dhe bateritë, të cilat janë shqetësuese për Shtetet e Bashkuara.

Ajo e nis vizitën e saj nga Kantoni (Guangzhou), metropoli emblematik i fuqisë industriale të vendit aziatik. Kjo është vizita e dytë e Yellen në Kinë në më pak se një vit.

Kjo vizitë vjen pas një bisede telefonike të djeshme, të martën, mes presidentit amerikan Joe Biden dhe atij të Kinës Xi Jinping, gjatë së cilës ata shprehën qëndrime të kundërta për kufizimet tregtare të Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës, ndërsa u shprehën se duan të stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe. Orari i takimeve, drekat e punës dhe madje edhe udhëtimet me varkë të Janet Yellen synon të forcojë pozicionet amerikane me udhëheqësit kryesorë ekonomikë kinezë, tha një zyrtar i Departamentit të Thesarit.

Sekretarja do të zhvillojë bisedime në Kanton me drejtues të biznesit amerikan me bazë atje, si dhe zyrtarë politikë kinezë, përpara se të fluturojë për në Pekin, ku do të përfundojë vizitën e saj të martën. Në krye të agjendës së vizitës së Janet Yellen është çështja e subvencioneve të Kinës për kompanitë e saj të përfshira në energjinë diellore dhe automjetet elektrike.

SHBA ka shprehur shqetësime për efektet e këtyre subvencioneve në industritë e veta dhe nuk ka përjashtuar rritjen e barrierave tregtare kundër konkurrencës kineze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!