Sekretarja e Thesarit e SHBA-së do të takohet me zëvendëspresidentin e Kinës

schedule14:00 - 16 Janar, 2023

schedule 14:00 - 16 Janar, 2023

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen do të takohet pasnesër, të mërkurën, në Zvicër me zëvendëskryeministrin kinez Liu He, për të shkëmbyer mendime mbi zhvillimet ekonomike dhe për të thelluar komunikimin mes dy ekonomive më të mëdha në botë, tha sot një zyrtar i Thesarit.

Takimi i parë ballë për ballë i Yellen me Liu vjen si pjesë e një angazhimi të të dy vendeve për të punuar për të lehtësuar tensionet pas bisedimeve të Presidentit Joe Biden me presidentin kinez Xi Jinping në Indonezi në nëntor.

Yellen do të takohet me Liun në Cyrih në prag të vizitës së saj në Afrikë me tre vende, ku do të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve të SHBA me një kontinent që ka qenë prej kohësh në fokus të tregtisë dhe investimeve kineze, si dhe në çështje të tilla si siguria ushqimore.

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang po përfundon një udhëtim në pesë vende në Afrikë, viti i 33-të radhazi që Afrika ka qenë destinacioni i turneut të parë jashtë shtetit të ministrit të jashtëm kinez të vitit të ri kalendarik.

Vëllimi i tregtisë së Kinës me Afrikën është rreth katër herë më i madh se ai i Shteteve të Bashkuara dhe Pekini është bërë një kreditor i madh duke ofruar kredi më të lira — shpesh me kushte të paqarta dhe kërkesa kolaterali — sesa huadhënësit perëndimorë. Por disa vende afrikane, duke përfshirë Zambinë, janë të pakënaqur me kreditimin kinez dhe po kërkojnë alternativa, thanë analistët financiarë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!