Sekretarja e MIE-s për inceneratorët: Nuk e dinim për ndryshimin e pronësisë

schedule11:04 - 18 Shkurt, 2022

schedule 11:04 - 18 Shkurt, 2022

Është shoqëruar me debate dëshmia e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë Viola Haxhiademi në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, e cila tha para deputetëve se ministria nuk ishte vënë në dijeni për ndryshimin e pronësisë së inceneratorit të Fierit.

Ishte fillimisht Jorida Tabaku ajo që kërkoi të dinte nga Sekretarja e Përgjithshme e MIE-s nëse kishin dijeni për ndryshimin e pronësisë, ndërsa më pas diskutimit iu bashkua edhe deputetin Helidon Bushati.

Viola Haxhiademi tha se nuk kishin dijeni për ndryshimin e pronësisë së inceneratorit të Fierit, gjë që sipas deputetëve të opozitës është e jashtëligjshme.

Haxhiademi foli në Komisionin Hetimor për Inceneratorët edhe për kontratën koncesionare për prodhimin e energjisë elektrike në Fier, Tiranë dhe Elbasan. Ajo tha se ERE nuk ka përcaktuar një çmim të përcaktuar për energjinë elektrike. Ajo u shpreh se nuk është në dijeni të një kërkese nga koncesionari për ndryshimin e pronësisë së kompanisë.

Debatet në komision

Jorida Tabaku: Detyra e autoritetit kontraktues është gjithmonë njoftimi në rast të ndryshimit të pronësisë të kontratës koncensionare. Në koncesionin përkatës, të cilin edhe po flasim, ka ndodhur dy herë ndryshimi i pronësisë. Në rastin e inceneratorit të Fierit, kompania italiane që ka marrë pronësinë, ia ka shitur asaj një javë më pas njoftimit të fituesit për kontratën koncencionare kompanisë ndërtim-montim Patos. Në dijeninë tuaj a ka një njoftim për transferimin e aksioneve dhe pronësisë?

Dëshmitarja: Nuk kam dijeni për këtë, ka ndodhur përpara. E kam dëgjuar si fakt.

Jorida Tabaku: Po për ndryshimin e aksioneve që ka ndodhur në Datën 14.02.2022 dhe është regjistruar?

Dëshmitarja: Jeni duke folur tre ditë përpara, 14.02.2022.

Jorida Tabaku: Në datën 14.02.2022 është bërë një ndryshim i aksioneve në qendrën e biznesit në emër të kompanive të regjistruara ku janë shfaqur tre aksionerë italianë. Qëllim i këtij komisioni është të kuptojë kush janë investitorët fundorë. A keni dhënë një miratim paraprak për ndryshimin e aksionerëve nga një kompani tek tjetra?

Dëshmitarja: Jo!

Jorida Tabaku: Nuk keni dhënë asnjë ndryshim?

Dëshmitarja: Jo!

Jorida Tabaku: Nuk ka asnjë miratim ndryshimi?

Dëshmitarja: Jo! Nuk ka asnjë kërkesë për ndryshim të aksionerëve.

Jorida Tabaku: Atëherë nuk është në dijeninë tuaj se si ka ndryshuar aksionerët e kompanisë pak ditë më parë?

Dëshmitarja: Jo!

Helidon Bushati:  E dini që ka një nen në kontratë. Është në çdo kontratë koncesionare. Kur ndryshon pronësia e kompanisë, duhet një miratim paraprak nga autoriteti kontraktual

Dëshmitarja: Varet nga përcaktimi i nenit në kontratë. Nuk jam në dijeni të një kërkese nga koncesionari

Helidon Bushati: Ju e dini si përfaqësues dhe drejtuese e lartë e ministrisë që në momentin që ka një detyrim nga autoriteti kontraktual ai miratim merret para se të bëhet ndryshimi i pronësisë.

(…)

Dëshmitarja: Sot që flasim nuk kemi një çmim të përcaktuar për prodhimin e energjisë. ERE ende nuk ka një çmim të përcaktuar për energjinë elektrike

Helidon Bushati: A jeni në dijeni në pozicionin drejtues, për ndonjë vendim të marrë nga kjo ministri për impiantin e prodhimit të energjisë elektrike në Elbasan?

Dëshmitarja: Jam në dijeni që impianti është i licencuar me vendim qeverie në vitin 2016

Helidon Bushati: Në Shqipëri licencimet bëhen nga ERE

Dëshmitarja: VKM ka miratuar kontratën e lidhur. Licencimi patjetër që ndodh nga ERE. Në VKM është e shprehur që kjo VKM lidhet në funksion të kontratës.

Helidon Bushati: Unë po ju them që enti rregullator i energjisë që licencon.

Dëshmitarja: Kompetenca e ERE për pjesën e licencimit patjetër që janë të saj. Në kohën kur është miratuar ligji parashikonte që kontratat kalon për miratim me  VKM

Helidon Bushati: VKM që ju thoni është për të dhënë licencën për ndërtimin. Kjo kontratë çfarë kohëzgjatje ka?

Dëshmitarja: VKM përcakton që kjo kontratë që miratohet me VKM. Kur flasim për 25-vjeçarin e prodhimit të energjisë licencohet ndërtimi. Inceneratori i prodhimit të energjisë ka 25 vjet kohë për prodhim energjie. Në momentin e transferimit, proces që filloi dhe ndaloi për shkak të sekuestros nga SPAK transferohet të drejtat për prodhimin e energjisë. Janë të drejta të transferueshme. Ajo që është miratuar me VKM është për ndërtimin. Shoqëria që ka marrë kontratë është shoqëria që mori përsipër për të ndërtuar inceneratorin.

Helidon Bushati: Çdo objekt që duhet të prodhojë energji duhet të licencohet nga ERE. Në momentin kur është nënshkruar një kontratë me ndërtuesin, zbatuesin e punimeve ku jepet e drejta për ta zgjatur afatin, sepse me atë kontratë është dhënë vetëm për impiantin për prodhimin e energjisë dhe ju e keni lidhur me dashje me atë kompani. VKM e thotë qartë, jepet licencë nga këshilli i ministrave vetëm për ndërtimin ndërkohë që në atë vit impianti ishte në ndërtim e sipër ose ishte i ndërtuar.

Etjen Xhafaj: Duke respektuar ekspertizën e çdokujt në këtë komision. Nëse duhet të flasim për aspekt teknik hajde flasim për aspekt teknik. Ju jeni më i thelluar se unë. Nuk mund të pretendojmë nga çdo dëshmitar t’i vëmë para përgjegjësive të të gjitha kontratave.

Ina Zhupa: A ka ministria juaj një studim për shitjen e energjisë sipas kontratës? A e monitoroni këtë proces?

Dëshmitarja: Për Tiranën dhe Fierin nuk kemi prodhim energjie tani që flasim dhe nuk është hedhur asnjë sasi energjie në rrjet.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!