Kreditë me probleme kanë shënuar rënie në nivelin më të ulët historik prej 11%. Të dhënat i bëri publike guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën mbi të ardhmen e Bankave. I pranishëm në këtë takim, Presidenti Meta shprehu shqetësim për stopimin e dhënies së kredive nga bankat.
Lajm i mirë vjen nga sektori i kredive të këqia.
“Kreditë me probleme sot kanë shënuar rënie në nivelin më të ulët historik prej 11%, kundrejt nivelit 25% që shënonte në vitin 2014”, deklaroi Gent Sejko.
Shpresëplotë është guvernatori i Bankës së Shqipërisë për rritjen e ekonomisë shqiptare por edhe I vetëdijshëm se ka edhe sfida që nuk mund të realizohen nëse vendi mbetet në këto nivele të kulturës financiare.
“Shqipëria duhet t’i kushtojë vëmendje zhvillimit të segmenteve të tjera të tregut financiar, si tregu i kapitalit apo fondet e pensionit dhe të investimit. Rëndësi primare në këtë kontekst ka harmonizimi i kujdesshëm i kuadrit ligjor e rregullator, për të shmangur lindjen e vatrave të rrezikut sistemik apo mundësitë e arbitrazhit rregullator”, tha Sejko.
Ndaj mangësive ligjore është i shqetësuar edhe presidenti i republikës, pasojat e të cilave janë ndjerë në dhënin e kredive u shpreh ai në Konferencën “Një botë e re e guximshme – E ardhmja e bankave në Evropë”
“Mbetet shqetësim që bankat në Shqipëri, nuk kanë shumë efekt. Gjatë 10 viteve të fundit, Shqipëria ka nivelin më të vogël të kredive. Një nga arsyet që bankat kanë stopuar në dhënien e kredive, është sundimi i ligjit”, tha Meta.
Edhe pse një ish ministër i financave dhe ekonomisë, Arben Ahmetaj është i paqartë për shkakun e problemeve që nënvizuan guvernatori dhe presidenti.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj risolli në vëmendje se qeveria ka patur presion për të rritur borxhin, por në të vërtetë ai kërkoi që ulja e borxhit duhet të kthehet në domosdoshmëri dhe objektiv patriotik./ABC News Albania 24/7