Sejdini: Panuçi gabon që fajëson lojtarët

schedule16:18 - 13 Nëntor, 2018

schedule 16:18 - 13 Nëntor, 2018

Kristian Panuçi po gabon me akuzat për lojtarët e ekipit përfaqësues. Ish-zv/trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini, kritikon deklaratat e italianit, dhe nuk është shumë optimist për të ardhmen.

Ishte kjo deklarata e papritur e Kristian Panuçit, për lojtarët e kombëtares, dhe nuk kishte sesi të kalonte pa reagime. Përse kjo akuzë dhe sa punë prish në prag të ndeshjes së Skocisë?

Një ish-zv/trajner i kombëtares, Farruk Sejdini, e cilësoi si krejt të pavend.

“Kur ti e konstaton që një njeri qenka memec, ka një zgjidhje. Kur janë memecë nga natyra ka shkolla shurdhmemecësh dhe kur janë memecë në futboll është trajneri që jep gojë. Është trajneri që duhet t’i japë gojë. Tha që ky ekip më ka bërë me thinja. Ekipi përfaqësues vinte nga rezultate shuëm të mira siç ishin nga Evropiani”, tha Sejdini.

Më shumë se një moment kthese i kombëtares, ky çast duket sikur po shton përçarjen.

A ka ende shpresë Sejdini?

“Nuk po i njohim lojtarët dhe gabojmë tek 8 lojtarë. Nuk e dimë se kush do të jenë lojtarët. Mendoj që themeli kryesor i përfaqësues është baza. Ndoshta ai kërkon të zbulojë lojtarë të rinj që t’ia atribuojë vetes, por kjo lloj strategjie më duket e gabuar”, u shpreh analisti i njohur.

Përtej akuzave të trajnerit, kombëtarja vuan edhe mosfurnizimin nga një Superligë që përflitet për ndeshje që luhen më shumë jashtë se brenda fushe.

“Kampionati shqiptar është kthyer si ai gjuetari që ka një qen gjahu dhe ai qeni nuhat gjahun. Edhe ekipet tona zgjedhin ku ka ndonjë fushë bosh që edhe të luajnë”, u shpreh Sejdini.

Sejdini, si trajner me eksperiencë tepër të gjatë, i druhet edhe diçkaje tjetër këtë sezon të Superligës.

“Mos harroni se gjithmonë kur kampionati kap prag zgjedhjesh, ju do e shihni çdo të ndodhë me Superioren  dhe aq më tepër nga kategoritë e vogla. Mua për vetë kam patur stres kur kishte kampionat dhe kapshin zgjedhjet”, përfundoi Sejdini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!