Seferi: Duam pikët maksimale në të dyja ndeshjet

schedule14:23 - 12 Qershor, 2023

schedule 14:23 - 12 Qershor, 2023

Taulant Seferi doli në konferencë për shtypin për të folur për dy ndeshjet e radhës të kombëtares me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Sulmuesi i Vorskla Polltavës në Ukrainë theksoi së në përfaqësuese ka një frymë mjaft pozitive.

“Sezoni po shkon shumë mirë, jam i kënaqur. Jam 100% i përgatitur dhe i lumtur që jam këtu. Jam gati për këto dy ndeshje, të shohim çfarë do të ndodhë.

Çdo kundërshtar është i vështirë, duhet të jemi të përqendruar. Fokusi ynë është të japim maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje.”

Idetë e Sylvinhos: Në një intervistë më parë kam thënë se Sylvinho ka sjellë pozitivitet. Jemi të gjithë së bashku dhe shumë të lumtur. Nuk kemi pasur shumë kohë për të punuar me Poloninë, por kemi luajtur shumë mirë. Jemi një grup i mirë dhe pozitiv.

Vështirësia përballë Moldavisë: Çdo kundërshtar është i vështirë, por ne duhet të fokusohemi tek idetë e trajnerit. Do ta analizojmë kundërshtarin dhe do të japim maksimumin në fushë. Kemi punuar shumë gjatë javës.

Forma e sulmuesve: E thashë se gjithçka është pozitive, shoh harmoni dhe bashkëpunim mes lojtarëve. Ne nuk e dimë se kush luan titullar, por do të japim maksimumin, vendimin e merr trajneri. Janë dy ndeshje të rëndësishme dhe nuk mund të mendojmë se është fundi i kampionatit. Duhet t’i ruajmë energjitë. Pesha është e gjithë ekipit, jo vetëm e sulmuesve, shpresoj të shënojmë.

Objektivi në dy ndeshje: Ne jemi të fokusuar te ndeshja e parë me Moldavinë. Duam fitoren, pastaj do të shohim takimin e radhës. Sigurisht që duam maksimumin e pikëve, por do të flasim pas dy ndeshjeve.

Mbështetja e tifozëve: Tifozët janë shtysa jonë e madhe. U bëj thirrje të në mbështesin, shpresoj të jenë në stadium në numër sa më të madh.

Futboll mes luftës: Firma me Vorsklan erdhi në fund dhe doja të ikja nga Shqipëria. Ishte e vështirë më shumë për familjen time. Nuk kam parë shumë probleme, sepse, aty ku jemi ne, është qetë. Nuk është kampionat normal, sepse ka luftë. Ka disa ndeshje që ndërpriten nga alarmi i sulmit ajror, por shyqyr Zotit e mbarova kampionatin”./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!