Seanca plenare, në Kuvend shqyrtohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor

schedule07:50 - 17 Shkurt, 2025

schedule 07:50 - 17 Shkurt, 2025

Kuvendi zhvillon të hënën seancën plenare me të njëjtin rend të ditës të seancës së të enjtes së kaluar e cila u ndërpre nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, pas incidenteve të shkaktuara nga deputetët e Partisë Demokratike.

Punimet e seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë do të vijojnë në orën 10:00.

Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.

Në rendin e ditës në Kuvend është edhe projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”.

Më pas do të diskutohet projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Në seancë pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit”.

Gjithashtu do të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!