Seanca me Besnik Muçin, KPA kërkon informacionet nga DSIK

schedule12:40 - 16 Tetor, 2019

schedule 12:40 - 16 Tetor, 2019

Kolegji i Posaçëm i Apelimit po zhvillon një seancë ndaj prokurorit Besnik Muçi. KPA ka kërkuar informacion në DSIK në lidhje me deklasifikimin e një materiali sekret shtetëror.

Muçi është shprehur shprehur se bëhet fjalë për informacione në lidhje me personin që i ka shitur shtëpinë dhe një person tjetër që i ka blerë një mjet.

“Paraqitja për informacion të ardhur pas fazës së parë, është sensitiv dhe i prekshëm. Për opinionin publik dhe padyshim edhe për mua. Gjatë seancave të kaluara, opinionit publik i kemi dhënë një gjysmë të vërtetë, pa i treguar përmbajtjen e informacionit të deklasifikuar tashmë nga DSIK. Por dua të sqaroj opinioni publik kush janë personat dhe me çfarë akuzohen. I pari është administratori i kompanisë, i dënuar për moskallëzim krimi, personi që mua më ka shitur apartamentin mua. Unë nuk kam fakte për situatën. Personi tjetër i lidhur, është shtetas që unë i kam blerë një mjet. Ai është proceduar dy herë nga Prokuroria. Është dërguar në gjyq për drejtim në gjendje të dehur të mjetit dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. E kisha të vështirë ta gjeja veten në këto fakte të KP dhe shkakun që unë lidhem me ata persona, pasi lidhja ime me ta është vetëm kontraktuale dhe asgjë më tepër. Opinioni publik është helmuar me këtë informacion gjysëm të vërtetë përgjatë kësaj kohe, deri në momentin kur u deklasifikuar dokumenti. Këmbëngulja e KP për ta përdorur si provë nuk ka asnjë vlerë për procesin në fjalë”, ka thënë Muçi.

Por në materialin e Komisionerit Publik thuhet se, “Në shqyrtim dhe vlerësim në tërësi të përmbajtjes së informacionit të DSIK e cila në thelb përmban dokumentacion të përcjellë nga Drejtoria Gjyqësore e Prokurorisë së Përgjithshme për personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, rrethanat dhe faktet e paraqitura në të, në vështrim të nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, mund të shërbejnë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe procedurave rivlerësuese për subjektin e rivlerësimit.

Konstatojmë se personat e tjerë të lidhur me subjektin, të proceduar penalisht për veprat penale të përmendura në këtë informacion, nuk përmbushin kriteret për t’u cilësuar si persona të përfshirë në krimin e organizuar e për rrjedhojë, të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt e të vetme, në vlerësimin e kriterit të figurës për subjektin e rivlerësimit, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin DH të Kushtetutës.

Por Komisioneri Publik çmon se ky informacion, në konsideratë të raportit dhe të marrëdhënieve të pranuara nga vetë subjekti i rivlerësimit , gjatë hetimit administrativ të Komisionit, sikurse eshte nga rrethanat e dala nga vlerësimi i kriterit të kontrollit të pasurisë, që rezulton i proceduar penalisht, shtetasi A.I, sikurse deklaron edhe ne deklaraten Vetting detyrues ndaj këtij shtetasi në vlerën 21 000 euro, mund të shërbejë si rrethanë dhe argument se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale në referim të nenit 37, gërma c e ligjit nr 84/2016″.

Ndërkohë më herët Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi emërimin e Besnik Muçit si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Emri i Besnik Muçit u përzgjodh nga lista me katër anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku bënin pjesë Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti.

Kreu i Shtetit në arsyetimin e tij thotë se Besnik Muçi gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale, të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Presidentit të Republikës Muçi, përgjatë karrierës së tij ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi. Ndërsa nga karriera e tij si prokuror ka perfeksionuar aftësitë e tij profesionale në fushën e drejtësisë penale.

Aktualisht pjesë e trupës së Kushtetueses është vetëm gjyqtarja Viktore Tusha të cilës i ka përfunduar mandati./abcnews.al