Seanca e mbyllur në Hagë, reagojnë nga organizata e veteranëve

schedule14:56 - 11 Prill, 2023

schedule 14:56 - 11 Prill, 2023

Për rreth tri orë është dëgjuar në seancë të mbyllur dëshmia e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë. Dëshmitares i është mbuluar fytyra dhe shtrembëruar zëri në mënyrë që të mbrohet identiteti i saj i cili nuk është bërë i ditur për publikun.

Në pjesën e parë të seancës ajo ka bërë të ditur se ka dhënë dëshmi për ZPS-në edhe dy herë të tjera.

Tutje, seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vijuar tërësisht private për publikun.

Për këtë kanë reaguar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. “Pak po ju duket që i fshehet fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku. Në fillim të seancës, prokuroria ka kërkuar që të pranohen si prova disa materiale shtesë nga seanca përgatitore.

Por kjo është kundërshtuar nga avokati i Rexhep Selimit, sipas së cilit është e çuditshme që secili dëshmitar që sjell material të ri të pranohet si informatë shtesë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues. Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!