Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të jetë në New York ku edhe do të mbajë një fjalim në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.
Serbia i ka dërguar të hënën misionit të Guajanës që kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kërkesë për mbajtjen e një sesioni të jashtëzakonshëm me fokus situatën në Kosovë. Në kërkesën e Serbisë theksohet se situata aktuale është në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Nga ana tjetër në Këshillin e Sigurimit kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjithashtu mësohet se do të jetë i pranishëm.
Kujtojmë se tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb.
/abcnews.al/