“Së shpejti, tre linjat e para të shpejta të autobusëve”, Kuko: Ja ku do të fokusohet buxheti 2024. Do të shtojmë edhe banesat sociale

schedule13:27 - 3 Janar, 2024

schedule 13:27 - 3 Janar, 2024

Kryetarja e Këshillit Bashkiak për Tiranën, Romina Kuko, në një intervistë për “Tirana Live”, foli për buxhetin 2024, për të cilin u shpreh se do të ketë një rritje prej 7 përqind. Ajo tha se buxheti do të fokusohet në inovacion, ekonomi dhe zhvillimin e qytetit. Kuko shtoi se fokusi do të jetë edhe tek shtimi i banesave sociale.

“Buxheti i vitit 2024 dhe plani për tre vitet e ardhshme do të fokusohet në inovacion, ekonomi dhe zhvillimin e qytetit. Buxheti do të futet në çdo njësi dhe lagje të Tiranës në mënyrë kapilare dhe nuk do të fokusohet vetëm në një aspekt por i shtrirë në mënyrë horizontale për t’ju shërbyer qytetarëve. Pjesa e infrastrukturës do të vazhdojë. Do të kemi ende shumë punë për të bërë. Kemi shtim të banesave sociale, do të duhet të vazhdojmë të mbështesim pjesën e Tiranës solidare, ku ka familje që e kanë nevojshme për një banesë sociale. Nga ana tjetër, është projekti i ndërtimit të kampusit universitar. Me zgjerimin e fluksit nga Kolegji i Evropës, do të kemi edhe kampusin. Kemi pjesën e bulevardit të ri me projektet dhe veprat madhore që do të vijojë puna e tyre.“, tha ajo.

Duke u ndalur tek projekti i autobusëve të shpejtë, Kuko shtoi:

“Sa i përket linjave të shpejta të autobusëve, është një projekt shumë i rëndësishëm. Kemi marrë plotfuqishmëri nga presidenti për kredinë me KVV-në, një shumë prej 31 milionë eurosh dhe një pjesë është me grante. Do të kemi tre linjat e para, ajo e Kombinatit, e Unazës së Tiranës dhe e Tiranës së Re. Nga 1 janari do të kemi fillimin e punimeve dhe së shpejti do të ketë autobusët me korsi të shpejta dhë pa ndalesa“./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!