Vështirësitë dhe paragjykimet nuk e kanë ndalur Rudina Lushakun. Kjo është historia e vajzës nga Kosova, e cila ka kryer 19 operacione pas një problemi shëndetësor me këmbët. 30-vjeçarja rrëfeu për “Abc-ja e mëngjesit” sfidat që i është dashur të kalojë përgjatë viteve. Por pavarësisht pengesave, Lushaku ka zgjedhur rrugën e optimizmit duke u bërë një frymëzim për personat me aftësi të kufizuara.
“Familja dhe shoqëria më kanë shtyrë me vazhduar përpara, mësuesja e klasës së parë më ka mësuar katër vite me radhë me vullnetin e saj. Më këshillat e mamit dhe babit, fillova dhe shkollën, pastaj të mesmen dhe fakultetin. Tani jam në punë.”, tha ajo. Mes të tjerash, Rudina tregoi dhe një situatë me të cilën u përball gjatë pushimeve në Shqipëri, e cila e bëri të reflektonte të vazhdonte përpara.
“Ka qenë një rast shumë i rëndë saqë e vendosa veten në pozitë të njerëzve që më shikojnë mua. Thashë Rudinë, ti e ke parë këtë personin që nuk është mirë. Mendova dhe logjikova gjërat që më kanë thënë prindërit, thashë pse nuk çohesh dhe mos i dëgjo njerëzit çfarë po thonë. Kam dalë në plazh në nesërmen siç ma ka dashur kokrra e qejfit, e kam shijuar diellin dhe detin dhe gjykimet i kam lënë pas.”, tha ajo. /abcnews.al


