Pesë muaj pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit që shfuqizoi urdhrin e anulimit të projektit koncesionar për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar të fituar nga kompania “Gener 2”, qeveria shqiptare në mbledhjen e sotme vendosi që të autorizojë ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të vijuar procedurën e negocimit të kontratës së re.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bazuar te vendimi i sotëm duhet të vijojë procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Por cfarë është ky koncesion?
Në fund të muajit korrik trupa e gjyqtarëve, e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa vendosi që të rikthejë koncesionin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Vendimi është i formës së prerë duke i kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratojë kontratën me kompaninë, që nisi sot procedurat.
Rrugët ishin dy; ose qeveria të pranonte vendimin e gjykatës së Apelit, sikur bëri ose ta ankimonte në Gjykatën e Lartë duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit dhe prishjen e vendimit. Koncesioni kap vlerën e 457 milionë eurove.
Kontrata koncesionare u ndërpre në 21 janar të vitit 2019 dhe fondet e parashikuara që të shkonin për këtë projekt, qeveria i kaloi për universitetet pas protestës së studentëve.
“U ndërpre procedura e Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Fondi i dedikuar për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar do të kalojë për Universitetin” deklaroi Balluku, dy vite më parë.
Në të njëjtën kohë u zbulua edhe skandali me “Dh Albania”, që kjo kompani me dokumente të falsifikuara fitoi tenderin për Unazën e Madhe në Tiranë dhe një tender në OST.
Fizibiliteti i Thumanë – Kashar 21 km, kosto 162 mln euro
Segmenti i katërt i autostradës Adriatiko-Joniane, Thumanë-Kashar 21 kilometra ka një histori të ndërlikuar për shkak të përfshirjes së tij në paketën e koncesionit PPP.
Kontrata e tipit PPP, e cila ishte fituar nga kompania “Gener 2″ në korrik 2018, pas një propozimi të pa kërkuar me vlerë 226 mln euro pa TVSH dhe 271 milionë euro me TVSH, u anulua nga qeveria shqiptare në fillim të vitit 2019.
Ndërsa, sipas variantit zyrtar të fizibilitetit në ministrinë e Infrastrukturës, ky segment kushton 162 milionë euro pa TVSh dhe 195 mln euro me TVSH, ose rreth 30% më lirë se varianti me PPP.
Segmenti Thumanë – Kashar, sipas variantit zyrtar shtrihet në një trase krejt të re në të 21 kilometrat e tij, si një autostradë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.
Ky segment, sipas studimeve, parashikohet të ketë dhe trafikun më të madh, rreth 60 mijë mjete me 24 orë, duke e bërë atë tërheqës për investitorët./ db/Abcnews.al