Për sekretarin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kason nuk ka asnjë dyshim se PD-ja do të hyjë në zgjedhjet e 14 Majit. Në një intervistë për Abc News, Kaso tha se regjistrimi i PD-së duhet të ishte bërë automatikisht duke iu referuar vendimit të gjykatës së Tiranës, që sipas tij, ka certifikuar vlefshmërinë e Kuvendit të 11 Dhjetorit.
I pyetur se si do të regjistrohet PD në zgjedhje, Kaso përmendi rastin e 2019-ës, ku një subjekt u regjistrua në zgjedhje sipas një standardi të mbajtur nga KQZ. Nëse nuk do të merret parasysh kjo, ai tha se do të ndjekin një aksion politik që nuk ka për të qenë vetëm ligjor por “në të gjitha format që njeh demokracia”.
Pyetje: Celibashi tha se asnjëra mund të mos regjistrohet? Si do të hyni në zgjedhje?
“Duhet të sqarohet se ka pasur një Kuvend të PD-së me 11 dhjetor dhe vendimet e atij kuvendi, janë paraqitur sipas ligjit pranë gjykatës për regjistrim në regjistrin e partive politike. Ka një vendimmarrje të gjykatës, me datë 25 mars, i cili në kushte normale pasi ka certifikuar vlefshmërinë e Kuvendit të demokratëve, duhet të ishte regjistruar në regjistër por në një akt të paprecedentë, ky regjistrim mbahet peng.
Është një çështje që është administrative dhe duhet të kishte ndodhur automatikisht. Po zvarritet si një çështje e zakonshme gjyqësore. Pavarësisht kësaj, kemi sot një vendim të vlefshëm të gjykatës së Tiranës që certifikon organet drejtuese të PD, vulat dhe simbolet e saj dhe ky vendim nëse regjistrohet apo jo në regjistër, ka fuqi detyruese për të gjithë institucionet ligjzbatuese, prandaj s’ka asnjë pengesë as KQZ apo organet e tjera që këtë vendim ta aplikojnë automatikisht.
Në zgjedhje do të futemi si PD duke çuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u regjistruar, duke përfshirë vendimin e gjykatës të Tiranës që certifikon kush janë organet drejtuese të PD dhe kush cila sigla dhe vula e saj. Një vendim i vlefshëm dhe është në fuqi. Të gjitha organet në Shqipëri janë të detyruar ta zbatojnë automatikisht. Prandaj deklarimet e KQZ, janë shumë të kujdesshme për të nënvizuar që në kuadër të procesit të regjistrimit, do të shqyrtojmë të gjithë dokumentet duke përfshirë këtë vendim.
Pyetje: A mundet Berisha që të marrë vërtetimin si kryetar i PD-së?
Për fat të keq, gjykata e Tiranës, me urdhër politik, refuzon të regjistrojë një vendim që ajo e ka prodhuar. Ka certifikuar vendimet e PD, dhe duhet ta regjistrojë automatikisht. Administruesit e regjistrit me urdhër politik refuzon që ta regjistrojë, gjë që nuk ka ndodhur në këto 30 vite demokraci.
Pyetje: Si do të regjistrohet PD në zgjedhje?
Kodi Zgjedhor parashikon një situatë normale të zbatimit të ligjit. Ka pasur raste të tilla dhe iu referova rastit të vitit 2019, ku një subjekt u regjistrua në procesin zgjedhor sipas një standardi të mbajtur nga KQZ. S’ka kërkuar vendimin nga regjistrimi i partive politike por vetëm vendimmarrja e gjykatës së Tiranës sikundër është e ligjshme.
Në të njëjtën mënyrë, sipas të njëjtit precedent që ka krijuar KQZ, do t’i kërkojmë që me dokument tjetër të regjistrojë PD dhe të pasqyrojë në fletën e votimit me të njëjtën mënyrë sikundër i pasqyroi në vitin 2019. U brohorit ky regjistrim në 2019-ën, nuk pati garë./abcnews.al