Scholz u bën thirrje aleatëve të NATO-s të rrisin mbështetjen për Ukrainën

schedule16:25 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 16:25 - 19 Dhjetor, 2024

Kancelari gjerman Olaf Scholz u ka bërë thirrje sërish aleatëve të NATO-s – që të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën – pas një takimi të liderëve evropianë të NATO-s, në Bruksel.

“Ne duhet të sigurojmë mbështetjen tonë për Ukrainën në afat të gjatë”, tha sot Scholz.

“Duhet të jetë e qartë se ne jemi të përgatitur të ofrojmë mbështetje për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi ai.

Udhëheqësit e lartë nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Polonia, Italia, Danimarka dhe Holanda – u takuan dje në mbrëmje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky – me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Takimi kishte për qëllim diskutimin e mundësive të mëtejshme për të mbështetur Ukrainën, një përpjekje urgjente nga frika se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, mund të reduktojë ndihmën e SHBA-së për Ukrainën sapo të marrë detyrën në fund të janarit.

Scholz tha se ai u kishte kërkuar aleatëve të tij të shqyrtonin ndihmën e mëtejshme me furnizimet e mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe municionit.

Ai u zotua se Gjermania do të vazhdonte të ishte mbështetësja më e madhe e Ukrainës në Evropë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!