Kancelari gjerman Olaf Scholz tha këtë të enjte, në prag të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, se ndihma e Ukrainës me armë do të jetë tema kryesore e bisedimeve që do të zhvillojë në Uashington.
Përpara takimit të nesërm me anëtarët e Kongresit dhe presidentin amerikan Joseph Biden, Scholz theksoi se është koha për t’i dërguar presidentit rus Vladimir Putin një “mesazh shumë të qartë” se Perëndimi nuk po heq dorë nga mbështetja e tij për Kievin, raporton AP.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të parandaluar që Rusia të fitojë”, shkroi Scholz në një shkrim për Wall Street Journal. “Nëse nuk e bëjmë këtë, së shpejti mund të zgjohemi në një botë që do të jetë më e paqëndrueshme, më e rrezikshme dhe madje më e paparashikueshme se sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë”, tha Scholz, sipas DPA.
Pavarësisht ndihmës nga Perëndimi, Ukrainës së shpejti mund t’i mbarojnë armët dhe municionet. Sipas Scholz, pyetja kryesore tani është “si Evropa, si dhe SHBA, mund të mbajnë ndihmën për Ukrainën“.
“Ajo që është premtuar deri më tani në Evropë dhe ajo që është premtuar me vendimet e Kongresit Amerikan nuk është ende e mjaftueshme. Kjo është arsyeja pse ne duhet të gjejmë një mënyrë për të bërë më shumë së bashku”, tha Scholz./abcnews.al