Scholz: Ka përfunduar debati mbi energjinë bërthamore

schedule08:24 - 4 Shtator, 2023

schedule 08:24 - 4 Shtator, 2023

Me përfundimin e shfrytëzimit ka filluar edhe çmontimi i termocentraleve bërthamore që ekzistojnë ende, tha kancelari Scholz. Po do të donim ende të ndërtonim termocentrale të reja bërthamore, do të duheshin 15 vjet dhe do të shpenzonim 15 deri në 20 miliardë euro për central. Kohët e fundit, FDP dhe CDU kanë bërë thirrje për një kthim në energjinë bërthamore. AfD është gjithashtu në favor të vazhdimit të shfrytëzimit të energjisë bërthamore.

Scholz skeptik për subvencionimin e çmimit të energjisë për industrinë

Kancelari foli me rezerva për kërkesat e shoqatave ekonomike dhe të një pjese të koalicionit qeveritar për të subvencionuar çmimin e energjisë elektrike për industrinë. Sigurisht, “propozimi se kujt t’i jepet para është më i lehtë për t’u bërë sesa propozimi se nga duhet të vijnë këto para”, tha Scholz. Ai theksoi se ka vetëm tre mundësi financimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike për ndërmarrje të caktuara. Ose duhet të paguajnë klientët ose tatimpaguesit më pas. Opsioni i tretë është hyrja borxh.Megjithatë, kancelari tha se është e qartë se në Parlament ka mendime shumë të ndryshme për këtë temë. Kjo është arsyeja pse pyetja se ku do të gjenden këto miliarda duhet të përfshihet “natyrshëm” në çdo diskutim. Në këtë kontekst, Scholz kujtoi se detyra e mirëfilltë është ulja strukturore e çmimit të energjisë elektrike. Me këtë ai ka parasysh nevojën për të zhvilluar prodhimin e lirë të energjisë elektrike të gjelbër dhe zgjerimin e rrjetit.

Scholz mbron “Ligjin e Mundësive të Rritjes”

Kancelari mbrojti projektligjin më të fundit për mundësitë e rritjes, të miratuar nga kabineti, i cili përmban masa për të mbështetur dhe lehtësuar ekonominë. Këto nuk kanë të bëjnë vetëm me mundësinë që dikush të paguajë më pak taksa, por edhe me stimulimin e aktivitetit investues. Ne e “kemi kalibruar me saktësi këtë,” vazhdoi Scholz. Ardhja dhe investimet e prodhuesve ndërkombëtarë dhe gjermanë të gjysëmpërçuesve i nxjerrin gënjeshtarë të gjithë ata që thonë se sot askush nuk dëshiron të investojë më në Gjermani. Përkundrazi, rregullat më të favorshme të amortizimit dhe mundësitë për spostimin e humbjeve janë “pikërisht nxitja që i duhet ekonomisë pikërisht në këtë moment”.

Nuk ka borxhe të reja të veçanta

Në përgjithësi kancelari Scholz u shpreh kundër borxheve të reja të veçanta jashtë buxhetit të rregullt. Nuk mund të bëhet rregull që shteti të hyjë në borxhe 100 apo 200 miliardë euro në vit, tha ai. Për sa u përket të ardhurave nga taksat, ai mendoi se duhet të shohim se si të menaxhojmë të gjitha paratë që kemi. Nëse ekonomia nuk dëshiron që të hiqet frena e borxhit, duhet të thotë gjithashtu se është mirë që qeveria federale po e mbështet ekonominë gjerësisht, por jo me programe qindra miliardëshe, theksoi Scholz. Kohët e fundit, Shërbimi i Kontrollit të Shtetit kishte kritikuar spostimin në të ashtuquajturat fonde speciale të borxhit të federatës dhe e kishte cilësuar këtë si shpenzim që ikën nga buxheti.

“G20 mbetet i rëndësishëm”

Kancelari gjerman nënvizoi rëndësinë e grupit të 20 vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe në zhvillim, pavarësisht zgjerimit të planifikuar të bllokut BRICS me gjashtë shtete. G20 do të vazhdojë të ketë rëndësi. Presidencat e Indonezisë, Indisë dhe Brazilit vitin e kaluar, këtë vit dhe vitin e ardhshëm janë dëshmi e kësaj. Në këtë kontekst, Scholz foli për një “detyrë të madhe” dhe një “detyrim të shenjtë” për të formësuar botën e së nesërmes së bashku dhe në baza të barabarta me vendet në zhvillim të Azisë, Amerikës së Jugut dhe Afrikës. Evropianoperëndimorët kanë një përgjegjësi këtu të lidhur me historinë dhe të kaluarën e tyre koloniale. Sepse nuk duhet të harrojmë se në shumë vende në zhvillim dhe në zhvillim, kjo histori është ende aktuale.

“Propozimi i partneriteteve të drejta”

I pyetur se çfarë mund të bëhet ndryshe në konkurrencën me Kinën, për shembull, kancelari tha se dëshiron të ofrojë “partneritete të barabarta”. Për shembull, ne mund t’i ndihmojmë vendet e Jugut që të mos mjaftohen me nxjerrjen e lëndëve të para, por edhe t’i përpunojnë ato po në vend. Samiti i G20 do të mbahet javën e ardhshme në Indi./DW