Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi vazhdim të mbështetjes ushtarake për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën me armët e nevojshme gjatë luftës. Por këtë do ta bëjmë edhe më pas. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, tha Scholz në një konferencë shtypi në Berlin.
“Ne mbështesim Ukrainën financiarisht dhe humanitarisht, por edhe me furnizime me armë në mënyrë që ata të mund të mbrojnë pavarësinë e vendit të tyre. Ne veprojmë me kujdes, koordinohemi me aleatët tanë dhe nuk shkojmë vetëm. Në këtë mënyrë, ne jemi tani mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave, Gjermania miratoi për Ukrainën një paketë ndihme ushtarake prej 700 milionë eurosh që përfshinte pajisje të mbrojtjes ajrore, automjete luftarake të këmbësorisë, tanke dhe municione artilerie.
Paketa e re përmban dy raketa të mbrojtjes ajrore “Patriot” të prodhimit amerikan, por në pronësi gjermane, 40 automjete të tjera luftarake këmbësorie “Marder”, 25 tanke të betejës “Leopard 1A5” shtesë, pesë tanke rikuperimi dhe 20.000 fishekë municione artilerie.
Një “paketë e gjerë” e aftësive antidron dhe dronë të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit (ISR) “Luna” janë përfshirë gjithashtu, sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes.
Për vendimin e SHBA-së për furnizimin e Ukrainës me municione thërrmuese, Scholz tha se Gjermania nuk ka pse të komentojë vendimet sovrane të shteteve të tjera dhe theksoi rëndësinë e një konvente që ndalon këtë lloj municioni.
Qeveria amerikane “ka marrë një vendim që nuk është i yni, por që e ka marrë në mënyrë sovrane”.
Në të njëjtën kohë, Scholz tha se “për mua kjo konventë ka një rëndësi të madhe”.