Schmitt takon Kurtin: Kosova ka demokracinë më funksionale në rajon me media dhe shoqëri të lirë

schedule12:43 - 22 Mars, 2022

schedule 12:43 - 22 Mars, 2022

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim historianin e njohur, z. Oliver Jens Schmitt. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e njoftoi Shmittin për të arriturat, përmbushjen e programit qeveritar dhe sfidat për të ardhmen.

Sipas ZKM-së, historiani Schmitt “e përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe për stabilitetin politik në qeverisje”.

Ai e vlerësoi Kosovën si vendin me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë. Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës, tha z. Schmitt”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Kurti dhe Schmitt kanë diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë si dhe për ndikimin që mund të ketë në Europë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.

Ka shkruar disa libra me analiza për historinë dhe figurat shqiptare: “Historia e shqiptarëve”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike” etj.

ZKM tha se Schmitt ia dhuroi kryeministrit Kurti librin e tij të fundit, përmbledhjen në pesë vëllime të korrespondencave të konsujve austriakë për Kosovën me titull: “Politika dhe Shoqëria e Vilajetit të Kosovës”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!