“S’bëhesh ministër se nuk do Greqia”, Shpëtimi Idrizi tregon çfarë i tha një shtetar i lartë i Shqipërisë

schedule21:10 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 21:10 - 7 Dhjetor, 2023

TIRANË– Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, u ndal tek llogaritë politike për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2025. Ai theksoi se nëse PDIU bën pjesë në koalicionin fitues, kushti kryesor për aleatin, është marrja e një posti në qeveri.

“Nëse në zgjedhjet e ardhshme jemi në koalicion fitues do kërkojmë post në qeveri, por ki parasysh se janë gati të bëjnë çdo lloj kinezi e braziljani ministër, por e kanë të vështirë të bëjnë një nga shqiptarët e Çamërisë, për shkak të këtij autokompleksi që ne kemi. Dhe unë prandaj rri këtu, vetëm për dinjitetin në radhë të parë, për drejtësinë për çështjen çame dhe për dinjitetin e kësaj popullate që unë i përkas dhe që fatkeqësisht e vranë e prenë dhe e masakruan, e përzunë, e stigmatizuan në 50 vitet e Enver Hoxhës dhe mendojnë se mund ta bëjnë këtë gjë edhe tani. Dikush nga më të mëdhenjtë e shtetit shqiptar më thoshte ‘Shpëtimo, e di pse nuk bëhesh ministër ti se nuk do Greqia, por po t’i them unë bëhesh ti’”, tha ai.

Gjatë intervistës në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, kreu i PDIU komentoi edhe situatën parlamentare, e cila në seancat e fundit protagoniste absolute ka patur Foltoren me kaosin, zhurmën dhe djegien e flakadanëve, ndërsa mazhoranca ka vijuar punën duke kaluar ligjet dhe duke miratuar edhe Buxhetin e vitit të ardhshëm, pavarësisht rrëmujës.

Sipas Idrizit, ajo që shihet sot në Parlament ka ngjashmëri me një “skenë teatri”. Kreu i PDIU u shpreh se pavarësisht të gjithave, tani ka ardhur koha që maturia, respekti për kundërshtarin dhe kompromisi i duhet Shqipërisë.

“Në parlament po shohim një teatër të madh. Ndonjëherë nuk e kap dot të shkoj se mbaron para kohe. Ndërkohë, po ne jemi që rrimë te kafja e parlamentit. Pra, hajde t’i themi ca të vërteta. Sot ka ardhur koha që duhet të kuptojmë që maturia, respekti për kundërshtarin, gjetja e kompromisit është ajo që i duhet këtij vendi”, u shpreh ai në Real Story./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!