Sarri: Do të argëtojmë tifozët me lojë sulmuese

schedule22:39 - 27 Qershor, 2019

schedule 22:39 - 27 Qershor, 2019

Trajneri i Juventusit Maurizio Sarri premton se do të argëtojë tifozët bardhezi në sezonin e ardhshëm. Tekniku Italian pranon vështirësitë për të fituar në Champions League.

Liga e kampioneve do të jetë prioriteti kryesor për Juventusin edhe sezonin e ardhshëm. Në një intervistë të dhënë në “Allianz Stadium” për kanalin zyrtar të klubit të Juventusit, trajneri i kampionëve në fuqi të Italisë pranon vështirësitë që duhen kaluar për të fituar kupën me veshë të mëdhenj, por është optimist që me grupin e lojtarëve që Juventus ka në organikë mund të arrihet çdo objektiv. Sa i përket filozofisë së lojës që do të ndjekë tek “Zonja e Vjetër”, Sarri thekson se do të ketë ndryshime, por duhen ruajtur karakteristikat nga skuadra e Allegrit ndërkohë që përgëzon Cristiano Ronaldon.

“Juventus dominon prej kohësh futbollin italian, por nuk mund të bëjë të njëjtën gjë edhe në Europë. Juventus një prej 10 skuadrave më të mira në kontinent dhe objektivi është një dhe i qartë, të fitojmë. Do të ishte mirë që skuadra të ruajë disa karakteristika nga skuadra e Allegrit. Filozofia e lojës do të jetë e ndryshme. Ronaldo është një makineri golash dhe shpresojmë të fitojmë shumë. Është më i rëndësishëm futbollisti për mua sesa unë për lojtarin. Mendoj se është e vështirë të përsëritet suksesi i viteve të fundit, por insistoj se objektivi është që të argëtojmë publikun me lojë të bukur dhe natyrisht të marrin rezultate pozitive”, tha Sarri.

Juventusin apo Chelsea, tekniku italian zgjedh bardhezinjtë për shkak të historisë së lavdishme.

“Kur kam mbërritur te Juventus kam qenë i vetëdijshëm se kam firmosur me një klub shumë të madh. Chelsea është një skuadër e madhe në futbollin anglez, por ka një histori 20 vjeçare ndërkohë që Juventus ka një histori më të gjatë, njëqindvjeçare”, përfundon trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri.

Sezoni i ardhshëm në futbollin italian parashikohet konkurrues pasi skuadrat janë duke investuar shumë për të ndërtuar ekipe që mund të rivalizojnë me Juventusin./ABC News Albania 24/7