Bashkëpunimi i Turqisë për lirimin e pastorit amerikan Endriu Branson dhe në hetimet mbi vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi në konsullatën saudite i ka hapur rrugë mundësisë që administrata amerikane të rishikojë sanksionet e vendosura ndaj Ankarasë.
Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë së shpejti sanksionet e vendosura ndaj Turqisë. Deklarata është bërë nga sekretari i Shtetit, Majk Pompeo pas vizitës së zhvilluar në Ankara. Pompeo u takua me presidentin Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Çavushoglu, me të cilët diskutoi mbi rastin e pastorit Endriu Branson, që u lirua nga arresti javën e kaluar me një vendim të gjykatës turke.
“Do të marrim një vendim së shpejti për këtë çështje”, ka thënë Pompeo për gazetarët pas vizitës në kryeqytetin turk. Pompeo ka nënvizuar se zhvillimet e fundit po i hapin rrugë një lëvizjeje të tillë sa u takon sanksioneve, edhe pse nuk është marrë ende një vendim zyrtar. “Për këtë më duhet të flas për presidentin”, ka thënë shefi i diplomacisë amerikane.
Sa i takon takimeve me presidentin Erdogan dhe homologun Çavushoglu, shefi i diplomacisë amerikane ka nënvizuar se në to ka prekur edhe rastin e gazetarit Xhamal Kashogi. Ai ka thënë se ka marrë garanci nga krerët e shtetit turk për një hetim serioz mbi vrasjen e tij. Lidhur me këtë çështje, agjentët turq kanë kontrolluar të mërkurën banesën e konsullit saudit në Stamboll, si dhe kanë mbikëqyrur për të dytën herë ambjentet e konsullatës ku mendohet se u vra reporteri.
Ndërkohë, në media përflitet se hetuesit turq zotërojnë një bisedë telefonike të konsullit saudit, që u thotë ekzekutorëve ta vrasin Kashogin jashtë konsullatës. /abcnews.al