Nga Mallie Kermiet, Center for European Policy Analysis
Deri më tani, SHBA kishte bërë shumë pak për të luftuar konsolidimin në rritje të pushtetit midis oligarkëve të korruptuar në vendet e Bashkimit Evropian. Sanksionet janë bërë një mjet kaq i njohur për të shprehur refuzimin e SHBA-së ndaj disa fenomeneve, saqë disa prej tyre mezi bien në dy.
Megjithatë, masat e fundit të vendosura kundër 3 oligarkëve kryesorë bullgarë dhe 64 bizneseve të lidhura me ta për akte korruptive, kanë një domethënie të madhe. Sanksionet, që përbëjnë masat më të gjera individuale të vendosura deri më tani ndaj qytetarëve dhe entiteteve të Bashkimit Evropian, nënvizojnë dështimin e bllokut për të luftuar korrupsionin midis vendeve anëtare.
Ato përfaqësojnë “veprimin e vetëm më të madh të SHBA që synon korrupsionin”, dhe ato u miratuan vetëm një ditë para se sa administrata Biden ta shpallte korrupsionin një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të vendit.
Deri më sot, Shtetet e Bashkuara kishin bërë pak për të luftuar konsolidimin në rritje të pushtetit midis oligarkëve të korruptuar në kombet e BE, duke e lënë kryesisht bllokun të patrullonte vetë“oborrin e tij”.
Por në kushtet kur qeveria amerikane po sqaron në detaje pasojat për biznesmenët e korruptuar bullgarë, është e arsyeshme që këto masa të shihen si një paralajmërim për rrethin në rritje të keqbërësve të pasur të Evropës, se shtetësia e një vendi anëtar të NATO-s ose BE-së, nuk u jep atyre leje që të bëjnë çfarë të duan.
Ndërsa sanksionet mund të shihen si një goditje paralajmëruese, ato mund ta motivojnë gjithashtu BE-në që të punojë më ngushtësisht me SHBA-në në identifikimin e pikës së takimit midis kriminalitetit dhe qeverive.
Takimi i fundit i nivelit të lartë BE-SHBA, e vuri theksin tek synimi i të dyja palëve për “zgjerimin e bashkëpunimit mbi përdorimin e sanksioneve në ndjekje të politikës së jashtme, dhe objektivave të sigurisë të përbashkët” siç thuhej në njoftimin e përbashkët për shtyp.
Oligarkët në mbarë BE-në, e kanë zgjeruar gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre, me blerjen e mediave private si një objektiv kryesor të veprimtarive të tyre. Konsolidimi i medias, është i lidhur ngushtë me rritjen e korrupsionit, pasi manjatët e medias i ndihmojnë shpesh qeveritë në këmbim të favoreve.
Administrata Biden ka sinjalizuar tashmë theksin e saj në luftimin e korrupsionit global, si
një përparësi thelbësore e sigurisë kombëtare. Të vendosura përmes Aktit Global Magnitsky të vitit 2016, sanksionet ndalojnë individë të caktuar të hyjnë në SHBA apo të bëjnë biznes me kompani amerikane, dhe do të lejojë konfiskimin e llogarive bankare dhe pasurive në SHBA.
Deri më tani, ky legjislacion është përdorur kryesisht për të shënjestruar autorët e abuzimeve me të drejtat e njeriut, edhe pse veprim i fundit sugjeron se synimi dytësor i ligjeve anti-korrupsion mund të marrë tani një rëndësi më të madhe.
Po pse po shënjestrohen biznesmenët bullgarë? Ashtu si miqtë e ish-shërbimit sekret të Vladimir Putin, siloviki, oligarkia e Bullgarisë është e lidhur ngushtë me shërbimin e sigurisë të epokës komuniste. Ajo grumbulloi pasuri dhe ndikim politik në vitet 1990,për shkak të vakuumit të pushtetit që u krijua pas shembjes së komunizmit.
Këta individë hodhën bazat për korrupsionin e shfrenuar që ka sot Bullgaria. Ky vend përmendet shpesh si një shembull kryesor i kapjes së shtetit, ku shitja e ndikimit, përvetësimi dhe shkeljet e procedurave të prokurimit publik, janë më se të zakonshme.
Edhe pse anëtarësimi i Bullgarisë në BE në vitin 2007, ishte i kushtëzuar me adresimin e korrupsionit në administratën publike, ajo ngjarje nxiti një konsolidim të mëtejshëm të pushtetit midis mafieve të reja. Siç e shpjegon ekonomisti bullgar Simeon Djankov, fluksi i “fondet e BE-së e shtuan në fakt korrupsionin dhe kapjen e shtetit”.
“Në veçanti, këto fonde janë përdorur për të blerë, direkt ose përmes projekteve pjesën më
të madhe të medieve, duke siguruar kësisoj një mbulesë për politikanët”- thotë ai. Parlamenti Evropian miratoi vitin e kaluar një raport mbi dështimet e Bullgarisë, në aspektin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Por Bullgaria nuk është e vetme. Oligarkë të korruptuar ka me bollëk në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Në të gjithë rajonin, zyrtarë të nivelit të lartë, abuzojnë shumë shpesh me pozicionet e tyre,duke i shfrytëzuar fondet e BE-së për përdorim personal.
Raporte të shumta dokumentojnë se si subvencionet bujqësore të BE-së në Bullgari, Republikën Çeke, Hungari, Sllovaki dhe Rumani, janë kanalizuar tek kompani me lidhje me zyrtarët e lartë. Besohet se korrupsioni i kushton BE gati 6.3 për qind të PBB-së.
Midis 3 bullgarëve të vendosur nën sanksione është manjati i medias dhe ish-politikani Delyan Peevski, që sipas njoftimit për shtyp të Departamentit Amerikan të Thesarit, e ka përdorur perandorinë e tij mediatike për t’u siguruar politikanëve ” mbështetje politike dhe mbulim pozitiv mediatik, në këmbim të marrjes të mbrojtjes nga hetimet e prokurorisë”. Peevski është i lidhur ngushtë me partinë GERB të ish-kryeministrit Bojko Borisov. Ai kontrollonte në vitin 2018 afro 80 për qind të tirazhit të medias se shkruar. Edhe në Hungari dhe Republikën Çeke, oligarkët kanë një ndikim të madh mbi mediat.
Sipas Marius Dragomir, Drejtor i Qendrës së Budapestit për Media, të Dhëna dhe Shoqëri, Hungaria shërben si “një rast klasik i kapjes së medias”, ku afërsisht 90 për qind e të gjitha mediave janë në pronësi të shtetit dhe oligarkëve pro-qeveritarë.
Në Republikën Çeke, vetë kryeministri Andrej Babiš zotëron shumë media private. Siç shpjegon Marius Dragomir:”Ka pasur gjithmonë politikanë ose parti politike të lidhura me kompani që blejnë media, por asnjëherë një kryeministër në detyrë që i kontrollon mediat direkt përmes kompanive të tij”.
“Sulmet ndaj institucioneve demokratike, janë duke u përhapur më shpejt se kurrë më parë në Evropë dhe Euroazi, dhe përbërë një sfidë ndaj vetë demokracisë”- sipas Zselyke Csaky, autore e raportit “Kombet në Transit”për vitin 2021 të organizatës“Freedom House”.
Këto prirje nënvizojnë se asnjë vend nuk është i imunizuar nga prapësimi i standarteve demokratike, dhe anasjelltas askush nuk duhet të përjashtohet nga ndëshkimi për sabotimin publik të demokracive të Evropës. SHBA-ja është e zotuar ta luftojë korrupsionin “kudo që të jetë”. Ajo duhet të veprojë sipas këtij zotimi, dhe të vazhdojë ta shtojë presionin mbi aktorët dashakeqë të Evropës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al