Jadon Sancho është një nga lojtarët më të talentuar në planet. Anglezi ofensiv po shkëlqen me Dortmund dhe deri tani ia ka dalë të shënojë 16 gola e të dhurojë shumë asist. 19-vjeçari tregon për kanalin zyrtar të Bundesligës se si karikohet përpara një ndeshje, objektivin e tij dhe e mbyll me një batutë rreth së ardhmes.
“Po tentoj të jem fitues dhe të kem mentalitet fituesi në çdo ndeshje që luaj. Përpara çdo ndeshje dëgjoj muzikë, më pas zbres në fushë dhe fokusohem te tifozët. Dua që të ata të përjetojnë emocione dhe të kthehen në shtëpi të lumtur, plot buzëqeshje dhe me fitore.
Mendoj se në futbollin e sotëm është shumë i rëndësishëm përqendrimi për ne sulmuesit. Kemi një harmoni shumë të mirë dhe po krijojmë shumë raste shënimi. Duhet ta mbajmë këtë përqendrim deri në fund, të jemi të kthjellët, sidomos kur fillojmë e lodhemi.
E ardhmja? Unë e adhuroj futbollin, askush nuk mund ta heqë këtë ndjesi brenda meje. E dashuroj këtë sport dhe zbavitem duke luajtur. Nëse do mundja, do të luaja deri në moshën 100-vjeçare. Fatkeqësisht do më duhet të tërhiqem në një moment, por futbolli do të mbetet dashuria ime e madhe“, përfundon Jadon Sancho. /abcnews.al