Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Sanchez s’do përplasje me SHBA-në, hedh poshtë raportimet për pezullimin e Spanjës nga NATO

schedule13:36 - 24 Prill, 2026

schedule 13:36 - 24 Prill, 2026

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të premten refuzoi të përfshihej në një përplasje me Shtetet e Bashkuara lidhur me raportimet se Pentagoni po shqyrton mundësinë e ndëshkimit të vendeve anëtare të NATO-s që nuk mbështesin operacionet amerikane në luftën me Iranin.

Ndër vendet që mund të preken është edhe Spanja, e cila ka refuzuar t’u lejojë forcave amerikane të përfshira në këtë luftë përdorimin e bazave në territorin e saj apo hapësirës ajrore. Spanja argumenton se veprimet e SHBA-së dhe Izraelit në luftën me Iranin bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Pentagoni po shqyrton edhe mundësinë e pezullimit të Spanjës nga NATO-ja, duke iu referuar një zyrtari të paidentifikuar amerikan dhe një emaili të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.



“Ne nuk punojmë me emaile”, u tha Sanchez gazetarëve gjatë një samiti të Bashkimit Evropian në Qipro. “Ne punojmë me dokumente zyrtare dhe me qëndrime të marra, në këtë rast, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara”, raporton AP.

“Qëndrimi i qeverisë së Spanjës është i qartë: bashkëpunim absolut me aleatët, por gjithmonë brenda kuadrit të ligjshmërisë ndërkombëtare”, shtoi ai.

NATO funksionon mbi bazën e konsensusit. Traktati themelues i aleancës transatlantike nuk parashikon mekanizma për pezullimin apo përjashtimin e ndonjërit prej 32 vendeve anëtare, megjithëse shtetet mund të largohen me vullnetin e tyre një vit pasi të kenë njoftuar aleatët e tjerë. Si aleancë, NATO-ja  nuk ka një rol të drejtpërdrejtë në luftën me Iranin, përveç mbrojtjes së territorit të saj.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur i zemëruar nga ajo që ai e konsideron si dështim të disa vendeve anëtare të NATO-s për të mbështetur veprimet amerikane në luftën me Iranin dhe për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e rëndësishme tregtare. Ai madje ka vënë në pikëpyetje qëllimin e anëtarësimit të SHBA-së në këtë organizatë ushtarake.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se është e habitur nga kritikat amerikane, duke pasur parasysh se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për të garantuar sigurinë e tregtisë në këtë ngushticë pasi të përfundojë lufta.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!