Samiti në Vietnam, shtrëngim duarsh mes Trump dhe Putin

schedule20:15 - 10 Nëntor, 2017

schedule 20:15 - 10 Nëntor, 2017

Presidenti amerikan, Donald Trump është përshëndetur miqësisht me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Dy liderët kanë biseduar për pak çaste gjatë fotos familjare në samitin për bashkëpunimin ekonomik Azi-Paqësor të zhvilluar në Vietnam. Megjithatë, mes tyre nuk ka pasur takim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin janë përshëndetur dhe kanë shtrënguar duart në samitin për bashkëpunimin ekonomik Azi-Paqësor të zhvilluar në Vietnam. Dy liderët në ato momente kanë shkëmbyer dhe disa fjalë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencitë e shtypit rus. Zëdhënësi i Kremlinit ka sqaruar se mes dy krerëve të shtetit nuk ka pasur takime zyrtare. Gjithashtu edhe Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar këtë version.

Përshëndetja mes Trump dhe Putin ka ndodhur gjatë zhvillimit të fotografisë zyrtare. Në atë kohë dy liderët ishin të veshur me kostume tradicionale të Vietnamit. Pasi shkëmbyen disa komente, Trump u ngrit dhe i vendosi dorën në shpatull presidentit rus, ndërsa gjithë të tjerë filluan të shpërndaheshin.
Më herët gjatë fjalës së tij në samit, presidenti amerikan sulmoi Korenë e Veriut dhe ambiciet e saj bërthamore. Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se askush nuk duhet të mbetet peng i fantazive të një diktatori të dhunshëm. Dhe për çdo hap përpara që bën regjimi koreanoverior drejt armëve, rreziku për pjesën tjetër të botës bëhet dhe më i madh. Trump u bëri apel vendeve të civilizuara që të bashkëveprojnë për të izoluar terroristët dhe ekstremistët.

Por samiti në Vietnam ishte dhe një mundësi për tu përballur me temën e tregtisë. Trump theksoi se nuk mund të tolerohet më që të ketë pengesa tregtare dhe praktika dëmtuese. Duke premtuar se do të vendoste gjithnjë në plan të parë Amerikën, kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi se nuk do të lejojë askënd që të përfitojë avantazhe tregtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!