Samiti i Ukrainës në Tiranë/ Erdogan i drejtohet me videomesazh: Gati të rikthejmë palët në tryezën e bisedimeve

schedule13:38 - 28 Shkurt, 2024

schedule 13:38 - 28 Shkurt, 2024

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në një videomesazh të mbajtur në samitin për Ukrainën në Tiranë, theksoi se është gati që të rikthejë palët në tryezën e diskutimeve, siç kanë bërë më herët.

“Jemi gati të rikthejmë palët në tryezën e negociatave, ashtu siç e bëmë në fillim të luftës në Stamboll. Dua të përshëndes pjesëmarrësit në këtë samit, në mënyrë të veçantë mikun tim, Kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë kontributin e tyre në organizimin e këtij samiti. “, u shpreh ai.

Erdogan rikonfirmoi mbështetjen për sovranitetin territorial të Ukrainës dhe planit 10 pikësh për paqen të presidentit Zelensky.

“Turqia mbështet Pavarësinë e Ukrainës, sigurinë dhe sovranitetin territorial. Ne po bëjmë gjithçka të mundur që të mbrojmë të drejtat e tatarëve të Krimesë. Ne do të marrim pjesë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shpejtë të Ukrainës. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, ndonëse asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të vendosur paqen. Unë vijoj që të ruaj vizionin tim për të pasur një paqe të gjatë për t’i zgjidhur gjërat me diplomaci dhe t’i japim një shans dialogut. Ne duhet të përdorim të gjitha kanalet diplomatike për të arritur qëllimet tona. Unë besoj në përpjekjet tona të përbashkëta për të caktuar një kornizë të përgjithshme të paqes. Në parim, ne mbështesim planin me 10 pika të paqes të Presidentit Zelensky. Ne gjithashtu, kemi qenë mbështetës të planit të tij për të garantuar sigurinë ushqimore. Që Plani i Paqes të ketë sukses, ai duhet të përfshijë të gjitha palët. Nisma e grurit e Detit të Zi, e cila është themeluar me përpjekjet tona të përbashkëta, duhet të jetë në axhëndë. Duhet të ketë përpjekje të përbashkëta për të garantuar lundrimin në Detin e Zi. Ne mbetemi në kontakt me palët në Detin e Zi dhe do të punojmë për vendosjen e sigurisë.“, shtoi ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!