Drejtori i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali thotë se mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor, është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, për negociatat në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për ABC News, Gjipali u shpreh se samiti tregon një vëmendje më të madhe të BE ndaj Shqipërisë dhe është një vlerësim i qëndrimit të vendit tonë ndaj qëndrimeve të unionit në politikën e jashtme të sigurisë.
“Është fillmisht mesazhi politik i rëndësishëm, që bëhet në Tiranë, Shqipëri. Është i rëndësishëm si moment simbolik, një vëmendje më e madhe ndaj Shqipërisë, është një vlerësim i qëndrimit të Shqipërisë në përgjithësi ndaj qëndrimeve të BE në politikën e jashtme të sigurisë, por edhe të ecurisë së procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, ecuria me reformat. Bën që BE ta vlerësojë Shqipërinë me mbajtjen e këtij samiti në Tiranë. Elementi tjetër ka të bëjë me vizibilitetin që i jepet vendit, edhe në sytë e liderëve evropiane, por edhe të mediave evropiane.
Është shumë e rëndësishme pasi jemi në një moment kyç, për faktin që ka një iniciativë, një mbështetje evropiane për të hapur negociatat, pjesën praktike të tyre, duke mbajtur Konferencën Ndërqeveritare, dhe ky vendim mund të merret deri në dhjetor të këtij viti. Është një vit i rëndësishëm, sepse viti tjetër do të jetë një vit elektoral, pra, kemi zgjedhje në Parlamentin Evropian dhe më pas kemi zgjedhjen e Komisionit të ri të BE. Prandaj, është shumë e rëndësishme që Shqipëria të nisë negociatat në dhjetor të këtij viti, mbështetja është e qartë nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare.
Shqipëria shihet si një pol i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, një faktor që mund të ndikojë procesin për të gjithë Ballkanin”, theksoi ai./abcnews.al