Samiti i Procesit të Berlinit/ Ekspertët: Ngjarje e shënuar në historinë diplomatike të Shqipërisë. Nga Tirana, u përcollën mesazhe për gjithë rajonin

schedule20:18 - 20 Tetor, 2023

schedule 20:18 - 20 Tetor, 2023

Samiti i Procesit të Berlinit, e bëri Tiranën kryeqendrën europiane të hënën e 16 tetorit. I dhjeti në serinë e samiteve të tilla, por i pari që mbahet në rajon, ky samit bëri bashkë jo vetëm liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe përfaqësuesit dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian.

Rëndësia dhe impakti që pati ky samit në vend është tema që po diskutohet këtë të premte në emisionin “Sheshi i Dollarit” me Genta Dobrën. Geron Kamberi, ekspert për çështjet ndërkombëtare, theksoi se samiti ishte një ngjarje e shënuar në historinë diplomatike të vendit tonë.

Nëse niset nga përmbajtja simbolike e samitit, natyrisht shënon një ngjarje historike nga pikëpamja e historisë diplomatike të Shqipërisë. Përtej faktit që shënohet në historinë diplomatike të Shqipërisë, ajo çfarë është më me rëndësi janë rezultatet e procesit të Berlinit dhe fakti që Shqipëria me këtë rast pati një mundësi që të faktorizohet edhe në arenën ndërkombëtare si një vend, që përkundër vendeve të tjera të rajonit, ka një stabilitet të qëndrueshëm nga pikëpamja politike, ekonomike dhe veçanërisht e konflikteve etnike. Jo rastësisht BE e filloi nismën me Tiranën si një vend që përfaqëson vendin më të qëndrueshëm nga pikëpamja e stabilitetit. Kjo ishte edhe një mesazh për vendet e rajonit që stabiliteti shpërblehet në një farë kuptimi.“, tha Kamberi.

Ndërsa eksperti Emiljo Çika theksoi se nga Tirana u përcollën mesazhe të rëndësishme për të gjithë rajonin.

Një nga qëndrimet më të rëndësishme dhe rëndësia në radhë të parë shkon për simbolikën, edhe krijon një impakt qoftë brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare. Do të thosha që Shqipëria u përzgjodh për disa arsye, ndër të cilat është e rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare. Në radhë të parë që doli në arenën rajonale, nuk mund të flasim për një arenë më të gjerë, ku u përzgjodh Tirana si një vend ku duhet të organizohet ky samit që të dalin mesazhe të caktuara kundrejt të gjithë rajonit. Shqipëria ka vetëm benefite në këtë aspekt sepse në fund të fundit, doli me sukses gjithë samiti dhe politika e Shqipërisë ishte dinjitoze. Nga ana tjetër, kemi edhe atë që është impakti i këtij samiti që janë rezultate reale që do të përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.”, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!