Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” komentoi deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se po shqyrtohet shtimi i forcave të saj në Kosovë. Nazarko theksoi se marrja e një vendimi të tillë mund të vijë nga informacionet se Serbia ka shtuar armë në kufi me Kosovën apo nga paralajmërimi që ka bërë Zelensky se Rusia ka plane një konflikt të ri në Ballkan.
“Nuk dua të besoj që ky vendim i NATO-s vjen për shkak të informacioneve të detajuara që Kurti i dha në takimin para disa ditëve, ishte një informacion i detajuar për llojin e armëve që Serbia kishte vendosur në kufi. Dua të besoj se NATO i ka të gjithë informacionet për instalimet e armëve që janë në kufi, jo vetëm në kufi të Serbisë me Kosovën apo informacione për qëllime reale ndaj Kosovës, qëllime të cilat mund të modifikohen edhe në funksion të fushatës elektorale në Serbi. NATO ndërkohë edhe për shkak të informacionit që Zelensky ka pretenduar në lidhje me një vatër të re të konfliktit në Ballkan të nxitur nga Rusia, ndoshta kjo mund të jetë një arsye shtesë që përcakton këtë qasje të NATO-s të bërë publike nga Stoltenberg.”, theksoi Nazarko.
Duke u ndalur tek Këshilli Ministror i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që do mbahet në Maqedoninë e Veriut, ku merr pjesë edhe ministri rus, Sergey Lavrov ai tha se pritet që të ketë kufizime për të. Sipas tij, SHBA-të duan që të kenë kontakt të drejtpërdrejtë në këtë samit.
“Ky është një samit që thekson rëndësinë e Maqedonisë në atë luftën e ftohtë që zhvillohet midis dy blloqeve. Ka popullsi sllave por është anëtare e NATO-s dhe fakti që kryeson OSBE këtë vit, tregon se Maqedonia në vizionin e NATO-s ka një vend të rëndësishëm. E dyta, është pjesë e Ballkanit që konsiderohet si një zonë ku potencialisht dy blloqet mund të konfrontohen edhe për shkak të informacioneve të Zelenskyt. E treta, për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, SHBA-të duan që të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Pra, në këtë takim dypalësh, mund të jetë rasti më i mirë që Blinken dhe Lavrov të takohen.”, shtoi Nazarko.
Duke komentuar zhvillimet në Kosovë, Nazarko theksoi se Perëndimi komunikon me Kurtin nëpërmjet presidentes Vjosa Osmani, e cila shihet si një derë më e hapur se ajo e kryeministrit.
“Mes tyre mund të ketë divergjenca. Osmani i ka bërë publike, Kurti jo. Këto divergjenca lidhen jo thjesht me formimin dhe prej politikave të të dyve por edhe me divergjencën dhe zhvillimet në të cilat është përfshirë Kosova. Dhe afërmend që Perëndimi, i cili ndërmjetëson, ushtron presione mbi kryeministrin dhe presidenten. Presidentja, duke u nisur nga eksperienca e saj politike, afërsia me presidentin Sejdiu, pjesëmarrja në procese të rëndësishme, prejardhja prej LDK-së, ajo duket një derë më e hapur sesa ajo e kryeministrit Kurti. Kështu që në përpjekjen e tyre të ethshme për të arritur një zgjidhje me Kurtin, Perëndimi përdor kanalet e mundshme edhe me presidenten për ta zgjidhur.”, tha analisti. /abcnews.al