Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, ndërsa liderët e NATO-s diskutojnë ofertën e vendit për anëtarësim.
Rikujtojmë se sot është dita e parë e samitit të NATO-s, ku fokusi do të jetë lufta në Ukrainë dhe anëtarësimi i Suedisë dhe Ukrainës në aleancë.
Zelensky pak më parë kritikoi samitin duke thënë se mosanëtarësimi i Ukrainës është absurditet.
“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës.
Ndërkohë që në të njëjtën kohë shtohen formulime të paqarta për ‘kushtet’ edhe për ftesën e Ukrainës.
“Duket se nuk ka gatishmëri as për ta ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës.
“Kjo do të thotë se ekziston mundësia që diçka e tillë të diskutohet në negociatat me Rusinë. Dhe për Rusinë, kjo do të thotë motivim për të vazhduar terrorin e saj,” tha Zelensky.
/abcnews.al

