Samiti i G20 bën bashke Biden dhe Xi, presidenti amerikan përmend Tajvanin

schedule14:48 - 14 Nëntor, 2022

schedule 14:48 - 14 Nëntor, 2022

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti Xi Jinping folën për prioritetet dhe synimet e tyre përkatëse për një sërë çështjesh gjatë bisedimeve të tyre ballë për ballë në Bali, bëri me dije Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti Biden shpjegoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të konkurrojnë fuqishëm me Kinën, duke përfshirë investimin në burimet e forcës në vend dhe duke përafruar përpjekjet me aleatët dhe partnerët në mbarë botën”, tha Shtëpia e Bardhë.

“Ai përsëriti se kjo garë nuk duhet të kalojë në konflikt dhe nënvizoi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet ta menaxhojnë konkurrencën me përgjegjësi dhe të mbajnë linja të hapura komunikimi”, tha Shtëpia e Bardhë për takimin.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden nënvizoi fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke përfshirë ndryshimin e klimës. Por ai gjithashtu ngriti shqetësime për të drejtat e njeriut, duke përfshirë në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong. Ai foli edhe për Tajvanin, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo ndryshim të njëanshëm të status quo-së nga secila palë, dhe bota ka një interes në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit.

“Ai ngriti kundërshtime të SHBA-së ndaj veprimeve shtrënguese dhe gjithnjë e më agresive të Republikës Popullore të Kinës ndaj Tajvanit, të cilat minojnë paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë dhe rrezikojnë prosperitetin global”, tha Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ata ranë dakord që Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken do të vizitonte Kinën për bisedime pasuese. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!