Durrësi ishte mikpritës i një takimi me rëndësi të veçantë për rajonin këtë të hënë, më 6 tetor, ku u zhvillua samiti i Brdo-Brijunit, me pjesëmarrjen e presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë.
Samiti, i cili zhvillohet që prej vitit 2013 me iniciativën slloveno-kroate, kishte në qendër të vëmendjes procesin e integrimit europian të rajonit. Ekspertja e çështjeve europiane, Nirvana Deliu, tha në një intervistë për “News Hour” në ABC News se ky ishte një takim me peshë politike në rang presidentësh, duke përcjellë një mesazh të qartë për përkushtimin e rajonit ndaj BE-së dhe për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë si vend mikpritës dhe partner i besueshëm në proceset ndërkombëtare.
Në fokus mbetet përshpejtimi i negociatave, me pritshmëri për përparim konkret deri në vitin 2027 dhe anëtarësim të mundshëm në vitin 2030.
“Ishte një samit i rëndësishëm me në fokus integrimin në BE. Është një samit që ka disa vite që zhvillohet, që nga viti 2013 me iniciativë të Sllovenisë dhe Kroacisë. Kemi 12 vite që nga anëtarësimi i fundit në BE. BE e ka intensifikuar vëmendjen e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Tashmë jemi udhëheqëse të procese, ku parashikohet që deri në vitin 2027 të mbyllim negociatat dhe në vitin 2030 të jemi anëtarë në BE. Samiti ishte i rëndësishëm në rang presidentësh. Në fokus është e ardhmja dhe integrimi në Ballkanin Perëndimor.
Është një mesazh i qartë që jepet për Shqipërinë, si një vend që është mikpritës i këtij takimi. Është një element shumë i rëndësishëm për të gjitha samitet ndërkombëtare që Shqipëria ka mirëpritur. Kjo tregon që jemi një vend që mirëpresim të gjithë aleatët dhe bashkëpunëtorët nga e gjithë Europa.
Kjo tregon që jemi një vend i sigurt për zhvillimin e këtyre takimeve. Asnjë nga anëtarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk mungoi në këtë takim. Kemi hapur një pjesë të rëndësishme të negociatave. Këto dy muajt do të jenë të rëndësishme për Shqipërinë pasi do të dalë raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë”, tha ekspertja.

