Kancelari federal Friedrich Merz dhe drejtuesit e tjerë të BE-së nuk arritën ta bindin kryeministrin hungarez Viktor Orban që të heqë dorë nga bllokada e tij ndaj ndihmave financiare miliardëshe për Ukrainën gjatë samitit (19.03.2026) në Bruksel.
Sipas disa diplomatëve të Agjencisë Gjermane të Shtypit (dpa), bisedimet përfunduan vonë në mbrëmje pa një zgjidhje të mosmarrëveshjes.
Populisti i djathtë Viktor Orban, i cili po lufton për rizgjedhjen e tij në Hungari,vazhdon të këmbëngulë se do ta tërheqë veton vetëm kur Hungaria të marrë sërish furnizime me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”. Orban pretendon se pa naftën e lirë ruse, ekonomitë familjare dhe ndërmarrjet hungareze do të falimentonin.
As presioni i konsiderueshëm nga kancelari federal Merz (CDU) dhe udhëheqës të tjerë shtetesh dhe qeverish nuk arriti ta ndryshonte këtë të enjten. Sipas diplomatëve, ata kritikuan qëndrimin e Orbanit pas dyerve të mbyllura si të papranueshëm dhe theksuan se ai e kishte miratuar tashmë planin për ndihma për Ukrainën deri në 90 miliardë euro në samitin e dhjetorit (2025).
Merz tha publikisht: “Parimi i punës në Bashkimin Evropian është parimi i besnikërisë dhe i besueshmërisë.” Të gjitha shtetet anëtare duhet t’i përmbahen këtij parimi.
Hungaria dhe Ukraina akuza të ndërsjella njëra-tjetrës
Në konfliktin për ndërprerjen e furnizimeve me naftë përmes tubacionit “Druzhba”, bëhet fjalë për faktin që Hungaria e akuzon Ukrainën se po pengon rifillimin e funksionimit të linjës. Tubacioni kalon nga Rusia, përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës, deri në Hungari dhe Sllovaki.
Ukraina i hedh poshtë akuzat dhe thekson se tubacioni aktualisht nuk është i përdorshëm për shkak të pasojave të sulmeve ruse nga ajri. Për riparimet e nevojshme, ajo së fundmi ka vlerësuar se duhen rreth një muaj e gjysmë kohë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj tha të enjten, gjatë një lidhjeje me video me krerët e shteteve dhe qeverive të BE‑së, se Ukraina po bën gjithçka që është e nevojshme për të marrë huanë – duke përfshirë edhe përpjekjet për riparimin e tubacionit. Njëkohësisht, ai paralajmëroi BE‑në se vazhdimi i importeve të naftës ruse do t’i ndihmonte agresorit.
Qartësi mbi gjendjen e saktë të tubacionit pritet të sjellë tani një mision i pavarur me ekspertë të BE‑së. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rezultatet e tyre mund ta bindin realisht Orbanin të bëjë lëshime. Sepse në vendin e tij ai po lufton për rizgjedhje përmes një fushate kundër Ukrainës, duke nxitur frikën se Hungaria mund të tërhiqet në luftë.
Sipas sondazheve për zgjedhjet parlamentare në Hungari, partia e Orbanit së fundmi renditej pas asaj të sfiduesit të tij, Péter Magyar. Nëse Magyar fiton zgjedhjet, ky samit mund të ketë qenë i fundit i rregullt për Orbanin. Aktualisht ai është kreu i shtetit dhe i qeverisë me më shumë vite në detyrë në Këshillin Evropian. Populisti i djathtë është në pushtet pandërprerë që nga viti 2010.
A duhet një zgjidhje emergjence?
Kryeministri finlandez Petteri Orpo akuzoi Orbanin se po e përdor Ukrainën, e cila është sulmuar nga Rusia, si një “armë” në fushatën e tij për zgjedhjet parlamentare më 12 prill. “Ne kishim një marrëveshje, dhe mendoj se ai na ka tradhtuar,” tha ai. Duhet të gjendet tani një zgjidhje se si të vazhdohet më tej.
Fillimisht askush nuk deshi të fliste publikisht për opsione konkrete. Është e mundur që Gjermania dhe shtete të tjera të BE‑së, në rast se bllokada zgjat më shumë, të kërkojnë mënyra të tjera për të siguruar garancitë e nevojshme për huanë e planifikuar për Ukrainën. Aktualisht, synohet të përdoret buxheti i BE‑së, gjë që i jep Hungarisë të drejtën e vetos. Paratë synojnë të mbulojnë nevojat më urgjente financiare të Ukrainës deri në fund të vitit 2027 dhe t’i mundësojnë vendit vazhdimin e luftës së tij mbrojtëse kundër Rusisë.
Kryeministri belg Bart De Wever tha se besonte se ekziston një “Plan B”. Megjithatë, nuk do të ishte e mençur të flitej për të. Zelenskyj deri tani nuk është shprehur qartë për pyetjen se kur Ukraina ka nevojë më së voni për fonde të reja nga BE‑ja./DW/


