Samiti i ardhshëm digjital i Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Tiranë, e më konkretisht te Piramida.
Tirana shumë shpejt do të kthehet në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të Teknologjisë në gjithë rajonin. Kështu bëri të ditur Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Beograd.
Veliaj tregoi se Samiti i ardhshëm do të mbahet në kryeqytetin shqiptar. Pikërisht tek Piramida, e cila do t’i dedikohet teknologjisë dhe kodimit.
“Kjo është një ditë shumë e mirë për Shqipërinë, sidomos për gjithë reformat në digjitalizimin e Shqipërisë dhe kryesisht të Tiranës. Kanë ndodhur disa gjëra shumë të rëndësishme në Samitin Digjital të Ballkanit: së pari, Shqipëria dhe Tirana janë përzgjedhur si mikpritëse të Samitit Digjital të Ballkanit. Prandaj do të punojmë fort që, në të njëjtën kohë, vitin tjetër, të kemi gati Piramidën si qendrën më unike në të gjithë Ballkanin për mësimin e teknologjisë së informacionit. Me përparimin e madh që ka bërë Shqipëria, sidomos në digjitalizimin e qyteteve, jemi një nga modelet që u vlerësuan edhe në samitin e sotëm”.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vlerësoi punën e Majlinda Bregut dhe Këshillit Rajonal për heqjen e kostos e Roaming në komunikimet telefonike.
“Është një ditë e shkëlqyer sidomos për ata që shpenzojnë me roaming dhe duan të bëjnë biznes apo të udhëtojnë në Ballkan. Falë punës së shkëlqyer të Majlinda Bregut dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunimin në Ballkan është realizuar dhe mundësuar marrëveshja e roaming-ut pa pagesë, kur vjen puna për udhëtimet brenda rajonit”.
Veliaj theksoi gjithashtu se digjitalizimi do t’i afrojë më shumë, jo vetëm vendet, por edhe qytetarët e rajonit të Ballkanit, duke ulur kostot, por edhe duke shkëmbyer informacionin. /abcnews.al

