Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan të premten në të gjithë Ukrainën ndërsa liderët e Bashkimit Europian dhe Ukrainës morën pjesë në një samit historik në Kiev, sipas Reuters.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel udhëtuan në Kiev për bisedime me Presidentin Volodymyr Zelensky.
“BE do të mbështesë Ukrainën dhe popullin ukrainas kundër luftës së vazhdueshme të agresionit të Rusisë për aq kohë sa duhet”, thanë tre liderët në një deklaratë të përbashkët, një draft i së cilës u pa nga Reuters.
Drejtuesit e BE-së pritet t’i premtojnë Ukrainës më shumë ndihmë ekonomike, ushtarake dhe politike. Bisedimet pritej të përqëndroheshin në përmirësimin e aksesit për produktet ukrainase në tregun europian, ndihmën e Ukrainës për të përmbushur nevojat e saj për energji, sanksione të reja ndaj Moskës dhe ndjekje ligjore të liderëve rusë për krimet e luftës.
Megjithatë, raundi tjetër i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë mund të mos përmbushë pritshmëritë e Ukrainës, ndërsa përshpejtimi i Ukrainës në bllok nuk do të ndodhë për sa kohë vendi është në luftë.
Kievi ka aplikuar për t’u bërë anëtar i BE-së menjëherë pas pushtimit rus dhe dëshiron të nisë sa më shpejt bisedimet formale të pranimit. Pas bisedimeve të veçanta të enjten me von der Leyen dhe anëtarët e Komisionit Evropian, Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur.
“Unë besoj se Ukraina meriton të arrijë fillimin e negociatave për anëtarësim në BE këtë vit”, tha presidenti ukrainas.
BE, megjithatë, nuk ka caktuar një datë, duke theksuar në vend të kësaj nevojën që Ukraina të përshpejtojë luftën e saj kundër korrupsionit endemik, të reformojë sistemin gjyqësor për ta çliruar atë nga ndërhyrja politike dhe për të forcuar ekonominë e saj, raporton abcnews.al.
Kriteret e shumta politike, ekonomike dhe ligjore të pranimit në BE nënkuptojnë se procesi mund të zgjasë me vite. Zgjerimi i BE-së në lindje po përballet edhe me rezistencë nga disa shtete të BE-së, përfshirë Francën, ndërkohë që sigurisht një nga kundërshtarët e tjerë është edhe Moska, e cila e konsideron integrimin e Ukrainës në institucionet perëndimore një kërcënim për sigurinë e Rusisë.
Charles Michel, megjithatë, me mbërritjen e tij në Kiev, deklaroi në Tëitter se “ne nuk do ta ndalojmë vendosmërinë tonë. Ne gjithashtu do të mbështesim vendin në çdo hap në rrugëtimin e tij drejt BE-së”.
Ndihma e BE-së për Ukrainën ka arritur pothuajse 50 miliardë euro që nga fillimi i luftës, sipas zyrtarëve të BE-së, raporton abcnews.al.
BE ka ofruar, ndër të tjera, ndihmë financiare dhe humanitare për Ukrainën. Ajo gjithashtu planifikon të miratojë një paketë të dhjetë të sanksioneve kundër Moskës në javët e ardhshme.
BE ka njoftuar gjithashtu se po rrit misionin e saj të trajnimit të ushtarëve ukrainas. Një çështje kryesore është trajnimi i ekuipazheve të tankeve që vendet perëndimore i kanë ofruar Ukrainës.
/abcnews.al