Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në Facebook se samiti i BE-së me Ballkanin ishte inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Ai vlerësoi rolin e Presidentes Vjosa Osmani në zhbllokimin e fondeve të BE-së për Kosovën.
Rama theksoi se Shqipëria sot gëzon respekt dhe vlerësim maksimal në Bruksel. Sipas tij, qëndrimi i qeverisë shqiptare ka qenë i drejtpërdrejtë dhe pa kompromis. Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave u cilësua si një inkurajim i rëndësishëm për vendin.
“Kemi përmbyllur mbrëmë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që ka qenë inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Presidentja Osmani ka shkëlqyer dhe, me fjalë bindëse dhe punë këmbëngulëse, ia ka dalë që të zhbllokojë fondet e bllokuara prej disa kohësh nga BE-ja.
Për Shqipërinë jemi në kushte që nuk kemi qenë ndonjëherë: të respektuar dhe të vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës në Bruksel, ku qëndrimi im ka qenë ai që dini. Qëndrimi im ka qenë troç, i drejtë dhe pa dorashka. Unë them atë që mendoj dhe bëj atë që them. Detyrat e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte, sepse duhet të jemi pjesë e BE-së.
Në fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, dhe kjo na e ka rritur vlerën në këto tryeza. Hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim.” / abcnews.al/

