Samiti BE-Ballkan Perëndimor/ Shkup, mblidhen liderët e rajonit dhe Brukselit për planin e rritjes

schedule10:11 - 30 Qershor, 2025

schedule 10:11 - 30 Qershor, 2025

Liderët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës mblidhen pasditen e kësaj të hëne në Shkup, në takimin e rradhës mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Samiti, i cili do të drejtohet nga komisionerja për zgjerimin Marta Kos dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kristjan Mitskovski, në cilësinë e vendit pritës, do të nisë të martën në orën 9:30 me dy panele kryesore, plani i rritjes dhe rruga drejt tregut të përbashkët BE-së që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë takimit pritet që Komisioni Europian të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (ËBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin.

Nga Plani i Rritjes prej 6 miliarde eurosh, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.

Shqipëria përfiton në total 922 milionë euro.  Në 2026-ën,  vendi jonë pritet  të marrë shumën më të lartë në kredi dhe grante, konkretisht 314 milionë euro, ndërsa në 2027-ën, 251 milionë euro.

Pjesa më e madhe fondeve do të shkojnë për reformën në drejtësi në vlerën 267.6 milionë euro ndjekur nga investimet për të përmirësuar  klimën e të bërit  biznesit, energjia e tranzicioni i gjelbër, si dhe zhvillimi i teknologjisë.

Këto fonde shërbejnë për të përshpejtuar integrimin e vendit tonë në familjen europiane. Komisionerja Marta Kos, rikonfirmoi, një ditë më parë, se Shqiperia do të celë të gjithë grupkapitujt deri në fund të muajit shtator, edhe pas mbështetjes publike që integrimi në BE ka marrë nga qytetarët.

Deri më tani janë hapur negociatat për 4 nga 6 grupkapitujt teksa ka mbetur “Agjenda e Gjelbërt dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” si dhe “Bujqësia dhe Kohezioni”..

Ambicia e qeverisë shqiptare është që grupkapitujt të mbyllen brenda 2027 ndersa nga Brukseli ka sinjale për anëtarësim më herët se 2030./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!