Marco Reus është në ditët e fundit të aventurës 12-vjeçare me Borussian e tij të dashur. Legjendë, krenari në “Signal Iduna Park”, futbollist të cilit natyra i dhuroi plot talent e klas, por aspak fat me dëmtimet.
Marco ëndërron e beson se do të largohet si kampion Europe nga verdhezinjtë. Dhe është një hap larg, pasi fati kthehet, nuk mund të jetë gjithmonë mizor.
Për ta bërë ndarjen me qytetin, skuadrën, shokët dhe tifozët më pak të dhimbshme. Dhe me një fund të lumtur, si në ëndrra.
E për të vijuar pasionin e jetës diku larg, në një realitet të ri dhe perfekt, për t’i shijuar qetësisht vitet e fundit si futbollist. Dortmundi i tij fitoi të dyja gjysmëfinalet e Championsit përballë PSG-së. Duke mos pësuar asnjë gol!
Dhe në finalen e Wembleyt (1 qershor) do të sfidojë Realin e Madridit.
Samir Nasri, ish-lojtar i skuadrave si Arsenali, Manchester City apo Marseille, ka zbuluar të ardhmen e Reus.
“Kam biseduar me Marcon. Ai më tha se e donte aq shumë futbollin sa ishte herët për t’u tërhequr.
Më tregoi se sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e MLS-së amerikane”, u shpreh ish-mesfushori i avancuar francez./ h.ll/abcnews.al