Zëvendëskryeministri italian, njëherësh ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Matteo Salvini ka sulmuar presidentin francez Emmanuel Macron, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm.
“Është i rrezikshëm. Unë e shoh atë si të paqëndrueshëm dhe nuk dua që fati im të jetë në duart e një djali të paqëndrueshëm”, tha Salvini në margjinat e një eventi në Milano.
“Fjalët e Macron dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s janë absolutisht të qarta. Kur dikush sugjeron bombardimin dhe vrasjen në Rusi, ai është kriminel sepse na afron me luftën e tretë botërore”, theksoi më tej Salvini duke ritheksuar edhe njëherë që asnjë ushtar italian s’do të luftojë në Ukrainë.
“Asnjë plumb italian për të goditur në Rusi dhe asnjë ushtar italian për të luftuar në Ukrainë. Nëse e gjithë qeveria italiane mendon si unë, nëse jemi dakord, unë jam i lumtur”, shtoi Salvini./abcnews.al