Salianji: “Rrumi” ka ndihmuar Ramën në fushatë, ka kërcënuar me jetë përfaqësues të PD

schedule12:56 - 2 Nëntor, 2019

schedule 12:56 - 2 Nëntor, 2019

Ish deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka akuzuar kryeministrin Rama se “Rrumi” allias Land/Pëllumb Muharremi e ka ndihmuar në fushatë, ndërsa ka kërcënuar përfaqësues të PD në bashkinë e Sukthit. Përmes një postimi në facebook një ditë pas atentatit ndaj prokurorit Ndoi te mbikalimi i Shkozetit, Salianji shprehet se PD i ka denoncuar në fushatë, por policia i mori në mbrojtje dhe pavarësisht urdhrit të arrestit të lëshuar nga prokuroria ata vazhduan të qetë fushatën kërcënuese.

Postimi i plotë në facebook

Autoriteti i shtetit është vënë përfund nga lidhjet e qeverisë Rama me krimin e organizuar.

Nuk ka ngjarje kriminale që mos të ketë të përfshirë individe me rekorde të rënda kriminale dhe mafioze që janë përdorur në fushatë nga Rama.

Më kujtohet se si ky “Rrumi” që sot trumbetohet me të madhe nga mediat pranë PS si person me rekorde të tmerrshme, jo vetëm që nuk arrestohej por kontrollon zona influence në administratë publike.

Parimi është i qartë: ndihmo Ramën në fushatë dhe kontrollo më pas administratën publike, asetet, burimet natyrore dhe trajtimin e popullsisë si skllevër.

Sot konflikti është mes bandave që mbështesin Ramën dhe kur qeveria bëhet palë me njërën tjetra ka guxim dhe të kërkojë eleminim fizik!

Në 2015 denoncuam me emër dhe mbiemër “Rrumi” allias Land/Pëllumb Muharremi dhe Bert dhe Gezim Hoxha, të tre në krye të një strukture kërcënonin me armë mbështetës të Partisë Demokratike dhe shkuan deri aty sa kërcënuan me jetë çdo përfaqësues të PD në komisione, duke lënë bosh shumicën e komisioneve në ish Bashkinë Sukth! Ne i denoncuam ne fushatë, policia i mori në mbrojtje dhe pavarësisht urdhrit të arrestit të lëshuar nga prokuroria ata vazhduan të qetë fushatën kërcënuese! Pas zgjedhjeve si shpërblim Bert Hoxha u emërua administrator i Njësisë Sukth si shpërblim për vjedhjen e votave!

Prandaj është imediate ndëshkimi i gangesterëve me pushtet, se s’ka asnjë rrugë tjetër për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin!

Prandaj gangesterët marrin guximin të ngrenë dorën ndaj punonjësve publikë!

Ne nuk i harrojmë, me forcën e ligjit do t’i shtypim bandat dhe mafian që po i pijnë gjakun Shqipërisë dhe po e bejnë të pabanueshme për qytetarët! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!