Salianji: Rama e mbron Kajmakun me “kodin e heshtjes”

schedule15:40 - 2 Shtator, 2019

schedule 15:40 - 2 Shtator, 2019

Partia Demokratike vijon të akuzojë kryeministrin Edi Rama, se me kodin mafioz të heshtjes, po mbron kryebashkiakun e inkriminuar Agim Kajmaku. Ish-deputeti Ervin Salianji tha se Rama hesht pasi me Kajmakun, ndan paratë publike.

Deklaratë e Partisë Demokratike, Ervin Salianji

Partia Demokratike prej më shumë se një javë, me prova të pakundërshtueshme ka denoncuar të inkriminuarin e radhës  në pushtetin e Rilindjes, kandidatin e Ramës për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku apo siç njihet dhe kërkohet nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto.

Dokumente nga gjykata dhe prokuroria e Athinës të publikuara  provojnë se i përzgjedhuri i Ramës për të qeverisur qytetarët e Vorës, është i inkrimiunuari i radhës.

Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje të Ramës për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara.

Partia Demokratike provoi gjithashtu se foto e pasaportës me të cilën është arrestuar në Greqi, Jorgo Toto, është e njëjtë me foton e pasaportës së të zgjedhurit të Ramës, Agim Kajmaku.

Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit.

Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë.

As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia.

Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona euro para publike me tendera e koncensione.

Edi Rama nuk guxon të thotë asnjë fjalë, sepse Jorgo Kajmaku është simboli i projektit te tij per qeverisjen  me krimin dhe për krimin.

Hesht tashmë edhe vetë Kajmaku, sepse nuk e fsheh dot më krimin e Jorgo Totos, krim për të cilin duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Në fakt ai duhet të ishte i pandehur bashke me Valdrin Pjetrin, por prokuroria e kapur për fyti nga Edi Rama nuk zbaton ligjin.

Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS.

Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit.

Edi Rama duhet te mbaje përgjegjësi para banorëve të Vorës për kandidimin e një të kërkuari nga drejtësia për bashkinë e tyre.

Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht  në bashkinë e Vorës.

Edi Rama, hesht për Kajmakun e radhës sepse ashtu si çdo organizatë kriminale, edhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes, zbaton kodin mafioz të heshtjes, “omerta”.

Omerta për të gjithë kriminelët me të cilët ai erdhi dhe mbron pushtetin.

Pushteti i organizatës kriminale duhet larguar një orë e më parë, si e vetmja rrugë për ta shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat  grabitës së djersës dhe pasurisë publike të shqiptarëve të vendosur në shërbim të kryetarit të kësaj organizate, Edi Rama.

Zgjedhjet e lira e të ndershme parlamentare dhe lokale njëkohësisht me një qeveri tranzitore janë e vetmja rrugë shpëtimi, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve per te hapur rrugën e zhvillimit ekonomik dhe social, rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, rrugë e cila është zënë nga krimi në pushtet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!