Analisti Plator Nesturi ka deklaruar se pas humbjes së PD-së, Olldashi ishte në garë me Berishën dhe Bashën, ndërsa sipas tij votat brenda partisë janë manipuluar nga Berisha. Ai theksoi se Salianji ka shfrytëzuar krizën dhe pozitën e Berishës me ndërkombëtarët për të krijuar një lloj përkrahjeje brenda partisë.
Nesturi shtoi se Salianji nuk është i gatshëm për betejë të brendshme, dhe Berisha e ka kuptuar lëvizjen e tij që në fillim, ndaj Salianji reagoi me një deklaratë publike për dorëheqjen e tij.
“Olldashi vinte menjëherë pas humbjes së PD; ishte një garë që e kishte me Berishën dhe Bashën. Aty nuk është se janë lexuar votat, sepse janë çuar aty ku ka dashur Berisha. Që ti besosh një zgjedhjeje të lirë brenda PD-së, nuk mendoj se ndryshon gjë.
Salianji ka kapur vetëm këtë çast, duke parë krizën dhe duke ditur se Berisha është i padëshiruar nga ndërkombëtarët. Në këtë kuadër, çdokush që do sulmonte Berishën do gjente një lloj përkrahjeje. Salianji është në kërkim të kësaj përkrahjeje.
Salianji gjen përpara vetes njerëz që e dinë se PD është në krizë dhe duhet të ndryshojë, por nuk besoj se ka arritur të ndërtojë një strukturë brenda PD-së. Salianji nuk është i gatshëm për betejë. Berisha nuk e la të formesohet si lëvizje brenda PD-së sepse është në cep dhe do i kërkosh dorëheqjen atij që të ka lënë në cep. Berisha e kuptoi që në fillim lëvizjen e tij; ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të dilte në këtë deklaratë.” / abcnews.al /


