Selia blu po përgatit skenarin për zgjedhjet e 23 majit. Dhe nuk duket edhe aq i pastër. Paradoksi qëndron te statuti. Sipas tij, Berisha nuk lejohet të kandidojë. Salianji po. Po në PD, Berisha është mbi gjithçka. Edhe mbi statutin.
Kandidatët për kryetar të PD do të verifikohen nga një komision i posaçëm në PD në muajin prill dhe kushti themelor është që një kandidat për kryetar të jetë anëtar i PD.
Me statusin e veçantë dhe unikal, duke e shpallur Salianjin si të vetëpërjashtuar, selia blu nuk e konsideron më Ervin Salianjin anëtar të PD, por këtu nis paradoksi.
Ai ende figuron si anëtar kryesie i PD, me një ndryshim, i kanë hequr fytyrën.
Për më tepër, asnjë organ kolegjial i PD, nga kryesia apo këshilli kombëtar, nuk ka vendim për ta përjashtuar Ervin Salianjin.
Statuti i PD parashikon përjashtimin e një anëtari apo zyrtari të PD sipas nenit 24, dhe e vetmja pikë që mund të prekë Salianjin është pika 1 e këtij neni, kur thyen disiplinën e PD e del nga vija politike e qëndrimeve të partisë apo dëmton interesat e saj politike.
Në rastin Salianji, kur nuk ka vendim kolegjial, ai është i vetëpërjashtuar vetëm me vendim me gojë të Sali Berishës.
Duket se foltoret e Salianjit me demokratët e zhgënjyer kanë shqetësuar jo pak kupolën e PD me në krye Sali Berishën, të cilin bazuar nenit 46, apo siç e quan ai neni Basha, nuk lejohet të kandidojë më për kryetar pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe sot nuk duhet të ishte në Bruksel, por në shtëpi.
Por sigurisht, neni Basha nuk vlen për Berishën, me gjasë grupi i punës kryesuar nga Gazment Bardhi do e shfuqizojë.
Dhe me gjasë, zgjedhjet e 23 majit do të përfundojnë në një garë pa rival për Sali Berishën, ose thënë thjesht në referendum, ku të vetmen alternativë demokratët për të votuar për kryetar të PD, do të jetë vetëm ai, Sali Berisha./abcnews.al


