Ankimimi i Ervin Salianjit për përjashtimin nga gara për kreun e Partisë Demokratike pritet të thellojë përplasjet brenda forcës politike dhe ta çojë çështjen në rrugë gjyqësore. Analisti Arben Meçe, në “News Line” në ABC News, u shpreh se lëvizja e Salianjit është e kujdesshme dhe synon të ruajë mbështetjen e një pjese të demokratëve që vijojnë të qëndrojnë pranë Sali Berisha.
Sipas Meçes, skema politike është e qartë, largimi i Berishës nga drejtimi i PD-së dhe zëvendësimi i tij nga Ervin Salianji.
Ai theksoi se Salianji po ndjek edhe rrugën ligjore, ndonëse është i vetëdijshëm se përballet me një terren të dominuar nga Berisha.
Analisti vlerësoi se çdo përpjekje për përjashtime brenda partisë do të përfundojë në gjykatë dhe se procesi gjyqësor do ta mbajë Berishën në një situatë ngërçi politik.
“Salianji mendoj që po punon me kujdes, me një skemë që është në zgjidhjen e interesit të vet dhe mos cenimin e një grupi jo të vogël të përkrahësve të Berishës. Përjashtimi i Berishës duhet të jetë një vendim i drejtë. Skema është e qartë fare, largimi i Berishës si kryetar dhe zëvendësimi i tij nga Salianji. Salianji po ndjek edhe një rrugë ligjore.
Në këtë rast ai po bën një lëvizje protokollare, se sa është i bindur, sepse e di shumë mirë që është në një terren të Berishës. Ai në këtë proces duhet t’u japë siguri edhe sektistëve të Berishës. Është një lëvizje që për hir të së vërtetës, nëse duam të kemi një PD si alternativë për të marrë pushtetin, kërkoj çlirimin e partisë nga Berisha.
Pavarësisht përpjekjeve që bën Berisha për t’i përjashtuar, pavarësisht se sistemi jonë i drejtësisë ka treguar se do ndeshet, ato do të shkojnë në gjykim. Kjo çështje do të përfundojë në gjykatë. Çdo kaprriço e Berishës është në dëm të tij. Procesi gjyqësor do të ndodhë dhe do e mbajë në ngërç Sali Berishën”, u shpreh Meçe.


