Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani ku të pandehur janë marrë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.
Paraditen e së martës avokatia Klodiana Gjyzari që përfaqëson Berishën firmosi mbylljen e hetimeve dhe ka tërhequr dosjen hetimore. Avokati Arbër Hoxha në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News ndërsa shpjegoi procedurën që pritet të ndiqet tashmë lidhur me këtë çështje, nënvizoi se pritet që pas 20 apo 25 ditësh të jetë edhe seanca paraprake.
“Sipas kodit të procedurës penale zoti Berisha së bashku me mbrojtësin e tij , por edhe zoti Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë kanë të drejtë që nga dita e sotme, brenda 10 ditëve t’i drejtohen prokurorisë së posaçme nëse hetimet sipas tyre janë të paplota, apo akuza është e pandërtuar drejtë. Më pas brenda 10 ditëve po nga dita e sotme prokuroria ka detyrimin që t’i përgjigjet me shkrim të gjitha kërkesave. Më pas ditën e 11 kanë detyrimin që së bashku me kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq të depozitojnë të gjitha aktet në sekretarinë e gjykatës së posaçme e cila më pas brenda 5 ditëve nxjerr datën e parë. Pra diku te 20-25 ditë do të jetë seanca e parë që do të gjykohen në seancë paraprake. Nëse të gjithë të pandehurit do të hyjnë me ritin e gjykimit të shkurtuar gjyqtari i seancës paraprake do të jetë gjyqtari i themelit dhe më pas do të plotësohet trupa gjyqësore me dy gjyqtarë të gjykatës së posaçme. Unë besoj se si zoti Berisha apo zoti Malltezi por edhe të pandehurit e tjerë do të hyjnë me ritin e gjykimit të zakonshëm e cila kërkon dhe merr më shumë kohë se gjykimi i shkurtuar. Gjatë gjykimit të zakonshëm do të pretendohen fakte dhe prova si nga ana e organit të akuzës dhe nga ana e mbrojtësve të tij. Dhe sa i përket pjesës nëse prokuroria do ta ketë apo jo të vështirë para gjykatës për të provuar korrupsionin pasiv, do të thoja se po sepse është hera e parë që prokuroria merr si të pandehur një person të paktën në nivele të tilla kaq të larta. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, se do të jetë e vështirë. Ndërkohë me pjesët e tjera besoj do të jetë më e lehtë”, ka thënë ai.
/abcnews.al/