TIRANË- Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha, nga ambientet e SPAK, ku u paraqitet për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” hodhi akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka dhe ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin.
Në lidhje me këto zhvillime, gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi ashpër qëndrimet e Berishës dhe situatën brenda opozitës.
Sipas Mahmutajt, Berisha i konsideron si “armiq” të gjithë ata që janë përfshirë në çështjet e tij ligjore dhe nuk pritet të ndalojë sulmet ndaj tyre. Ai shtoi se opozita në Shqipëri është “shuar” ndjeshëm, duke e fajësuar drejtpërdrejt Berishën për këtë situatë.
Mahmutaj shkoi më tej duke deklaruar se identiteti i PD-së është i lidhur ngushtë me figurën e Berishës. Në një krahasim të fortë, gazetari e barazoi stilin e drejtimit të Berishës me atë të Enver Hoxha, duke shtuar se partia është shndërruar në një strukturë të mbyllur, pa asnjë qarkullim apo zëra të rinj.
“Për Berishën ato janë armiq. Nuk i ka dalë e keqja ndaj Irena Gjokës për caktimin e masën e sigurisë dhe për ish-kreun e SPAK, që ka nisur dhe ka mbajtur gjallë procedimin penal për Berishën. Berisha nuk do ndalojë së sulmuari këdo që e konsideron armik.
Partitë opozitare janë shuar, sepse partitë opozitare i ka shuar Sali Berisha. Opozitarizmi ka ngel si një zile për t’u tundur nga Sali Berisha. Zërat e rinj në PD, Berisha i ka mbytur që në hapat e parë..
Sa të jetë gjallë Berisha PD do jetë Berisha, në kohën që nuk do jetë, nuk do ekzistojë as PD. Berisha nuk ka asnjë dallim nga Enver Hoxha. PD është kthyer në një shoqatë, për të mos thënë si një klub”, tha ai./abcnews.al


