Liverpool kishte siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në grupin D të Champions League. Kampionët e Anglisë luajtën në Danimarkë sfidën e fundit, që përfundoi në barazim 1-1.
Jurgen Klopp tregohet i sinqertë në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, duke theksuar se nuk e kishte aspak mendjen te takimi i sotëm.
“Sinqerisht që nuk mendoj aspak për këtë ndeshje, e kam mendjen te sfida e kampionatit kundër Fulham. Luajtëm mirë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën më pak.
Tani të fokusohemi te kampionati, na presin tre ndeshje shumë të vështira (Fulham, Tottenham dhe Crystal Palace)“, deklaron Klopp.
Momo Salah realizoi golin e Liverpool në barazimin e sotëm, madje që në minutën e parë. Një gol historik për sulmuesin egjiptian.
Ky ishte goli i 22-të që Salah shënon me fanellën e Liverpool në Champions League, duke kaluar një legjendë si Steven Gerrard. /abcnews.al