Sakrificat e zjarrfikësve/ Njerëzit që luftojnë me flakët tregojnë të veçantat e zanatit

schedule17:55 - 4 Maj, 2024

schedule 17:55 - 4 Maj, 2024

Rakip Billa është pjesë e shërbimit zjarrfikës të kryeqytetit. 49 vjeçari e nisi këtë profesion vonë, pasi shumë vite i kaloi në emigrim.

Në vitin 2014 ai iu bashkua ekipit të zjarrfikëses së Tiranës, por kujton se pasionin për këtë profesion e ka pasur shumë herët.

“Dita nis me marrje e shërbimit, kontrollin se mjeteve, orari i stërvitjes. Program qe e kemi të njëjtë gjatë shërbimit 24 orë”, ka thënë Rakip Billa.

Gjatë operacioneve Rakipi dhe kolegët e tij përballen gjithnjë me rrezikun.

“Gjithmonë jeta e zjarrfikësit është në rrezik, nuk dihet ku shkel e ku hyn, me ca përballet se janë gjëra të panjohura”, shprehet ai.

Mes shumë momenteve të vështira, disa mbeten gjatë në memorie.

“Kur kemi shpëtuar njerëz nga aksidente që janë bllokuar brenda, në shtëpi kur ka rene zjarr. Një nga zjarret më të vështira te “Casa Italia” ku kemi punuar orë tëra për të nxjerrë trupin e pajetë”, shprehet ai.

Në betejën me flakët, apo në çdo operacion tjetër shpëtimi, zjarrfikësi 49 vjeçar thotë se shpëtimi i jetëve e bën të ndihet krenar për profesionin e tij human.

“Kur i nxjerr të gjallë apo i shpëton pronën tjetrit të gëzon, që veprove në kohë dhe të realizosh objektivin”.

Rakipi thotë se i shqetëson gjithmonë familjarët me oraret e gjata në punë dhe përballjen me rrezikun, por megjithatë ka mbështetjen e tyre.

“Në zjarre të fuqishme ata i shikojnë në TV, mundohen të na marrin në tel, por ne e kemi të pamundur”, shprehet ai.

Ersilio Bodlli është zjarrfikësi më i ri i stacionit nr.1 të Tiranës. 20-vjeçari iu bashkua ekipit vetëm 2 muaj më parë, si një zgjedhje e tij për të ndjekur pasionin që e zbuloi në moshë fare të vogël.

“E kam qejf se është një punë e ndershme shumë e mire, ne ndihmojmë njerëzit në vështirësi”, shprehet Ersilio Bodlli.

Në pak kohë si zjarrfikës, kujton betejën e tij më të vështirë me flakët në një shtëpi në kryeqytet.

“Ka qenë një zjarr shumë i madh në kinostudio. Sepse aty rrezikonin dhe shtëpi të tjera, po të mos ishim ne do digjeshin dhe te tjera në lagje”, tha ai.

Zjarrfikësit pranojnë se trafiku i automjeteve në rrugët e kryeqytetit është vështirësia më e madhe e punës së tyre, ndërsa vitet e fundit se qytetarët janë ndërgjegjësuar, duke ua bërë më të lehtë lëvizjen.

“4 maji shënon ditën ndërkombëtare të zjarrfikësve. Në këtë ditë nderohet sakrifica që bëjnë zjarrfikësit, për të siguruar që mjediset dhe komunitetet tona të jenë të sigurta. Kjo ditë na kujtojnë të gjithëve se zjarrfikësit vënë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët”, shtoi ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!