Nga Ermal Vija
Kur kanë kaluar 5 muaj nga dënimi me burg, Saimir Tahiri është i pakënaqur me kushtet e burgut të Fierit. ABC ka mësuar se, ish-ministri i Brendshëm ka ankesa me kushtet që ka vendosur administrata e burgjeve për të dënuarit si dhe për rregullat që duhet të ndjekin familjarët që vizitojnë të afërmit e tyre që mbahen të izoluar.
Mësohet se, Tahiri ka pasur konflikt me drejtorin e burgut Arjan Hasani. Një nga mosmarrëveshjet ka qenë tregtimi i ujit brenda ambienteve të burgut. Sipas rregullores së burgut, të dënuarit nuk duhet të furnizohen me ujë nga familjarët. Pas këtyre përplasjeve, Tahiri i ka kërkuar drejtorit transferimin në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit. Mësohet se ish-ministri është transferuar në Lushnje.
Pak kohë më parë ish-ministri i kërkoi Gjykatës së lartë të pezullonte dënimin me burg pasi i rrezikohej jeta në qeli persona të tjerë të dënuar.
Tahiri qëndron i izoluar prej datës katër shkurt, ditë në të cilën u dha vendimi me 3 vite e 4 muaj burg nga gjykata e Apelit të Posaçëm. Ai u dënua me 5 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi, duke u dënuar përfundimisht me 3.4 vite burg. Tre ditë pas vendimit, Tahiri la ambientet e paraburgimit 313 për tu transferuar në Fier, por pas gati 6 muajsh në këtë institucion, ish ministri i Bredshëm, ka kërkuar transferimin dhe do të jetë drejtoria e përgjithshme e burgjeve që do të vendosë. /abcnews.al